Politika

Rama: Nongrata, përgjegjës për financimin rus të PD-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Vlora se “nongrata mori para nga të huajt për të futur vendin në konflikt”. Gjatë prezantimit të investimeve publike të kryera në bashkinë Vlorë, Rama tha se “kemi ardhur në pikën që kemi në vendin tonë një forcë të përbërë nga disa njerëz të shitur dhe që çdo ditë mbushin me helm të gjitha ujërat që lëvizin në botën e komunikimit publik”.

“Çfarë duhet më për t’u bindur që një i damkosur ‘non grata’, nga dy aleatë të mëdhenj, SHBA dhe Britania e Madhe për të tëra të zezat të braktiset? Ju kujtohet kur thosha unë, “Luli, ndahu nga ata të dy”. E më thoshin, “ç’ke me ata të dy? Njëri është plak në shtëpi, tjetri është atje në presidencë”. Ja ku i ke, Luli s’është më, ata të dy janë prapë. Janë për fatkeqësinë e madhe të këtij vendi, janë si vazhdim i atij mallkimi që ka nisur pikërisht në momentin që këtu në Vlorë është krijuar dhe shteti shqiptar dhe që nuk i është ndarë shqiptarëve këmba-këmbës që nga 1912 dhe që na ka penguar të jemi aty ku duhet të ishim me kohë, ku fëmijët tanë e kanë merituar me kohë, fëmijët e këtij vendi, që të jetë atdheu i tyre”, tha ai.

Rama foli edhe për financimin rus të PD-së, ndërsa shtoi se PD mori para nga të huaj për të bërë çorap vendin.

“Çfarë arsye ka Rusia që të paguajë një parti shqiptare? Dhe nuk paguan një, por unë flas për faktet sot. Çfarë arsye ka të derdhë gjysmë milioni dollarë për një parti shqiptare për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi dhe çfarë duhet të jesh, përveç se një i pafe, përveç se një i pabesë, i pa din, i pa iman, i pa atdhe që të marrësh para nga të huaj, cilitdo qofshin ata. Por këtë rast flasim për një lloj paraje, rublat që nuk janë paratë e një vendi miqësor ndaj nesh dhe të marrësh para nga të huaj për të bërë çorap vendin tënd, për të ngritur çadra e për të bërë thirrje për revolucione, e për të bojkotuar zgjedhje, vetëm e vetëm që vendi yt të hyjë në konflikt dhe në sherr”, tha ai.

Sipas tij, “PD i ka dhënë prova Rusisë se i meriton ato financime”.

“A e imagjinoni dot për një moment sikur në zyrën time të kishte ardhur përfaqësuesi i Vladimir Putinit dhe unë ta prisja në zyrë me temena dhe pastaj një muaj më vonë të shkonim në Këshillin e Europës dhe të votonim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se çfarë do të ishte bërë? Por ne nuk e votuam atë rezolutë turpi që është një akt tradhtie ndaj këtij vendi kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër Shqipërisë, sepse akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në Shqipëri ka shkulur organet e njerëzve për t’i shitur, dhe vajtën atje, bedela të Putinit, dhe e votuan”, tha ai.

Rama theksoi se “nëse ka një gjë që Partia Socialiste është një dhe e vetme, se është e vetmja parti shqiptare që në asnjë moment nuk e ka shkelur dhe as lënduar interesin kombëtar, në asnjë moment, që nga dita e krijimit të saj”.

“Kurse këta bedela i bashkuan votat atje me Putinin, votuan rezolutën. E si mos marrin këta gjysmë milioni?! Po gjysmë milioni janë ato që dihen, se kur dolën në fillim i ka bërë Edvini me Sorosin. Po kur i nxori CIA? E tani fillon muhabeti, jo i bëri Luli. Cili Lul? Ku ka Lul? Ku ka pasur ndonjëherë Lul? Ku ka njeri që e beson? Luli vetë nuk e beson që ka pasur Lul ndonjëherë! Luli aksionist! Aksionist pa shall! Pa shall, edhe në gjumë! Ashtu, çohu nga gjumi, firmos, merr lekët edhe çoji te nongrata”, tha Rama.

Sipas tij, Amerika e “matrikulloi” Berishën si të padëshiruar, sepse është i korruptuar.

“Sepse është minus i demokracisë, dhe me gjithë familjen ka bërë gjitha të zezat. Bëhet fjalë për njeriun që ka qenë president, që e kanë pritur në Shtëpinë e Bardhë, që ka qenë kryeministër. I kanë ardhur këtu në zyrë, t’i rrasin matrikullimin në lule të ballit. Po patjetër, sepse është rublaxhi. Për këtë, është rublaxhi dhe unë jam i bindur që megjithëse e vërteta shumë po vonon për këtë qafir, nuk ka për të harruar. E vërteta do dali deri në fund”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button