Rama: Nuk ka tokë shtetërore në Sazan. Administrata shqiptare e ktheu mbrapsht projektin e mëparshëm, kërkuam standarde më të larta
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një nga çështjet kryesore që lidhet me projektin e zhvillimit në zonën e Sazanit është ajo e pronësisë mbi tokën, duke theksuar se në atë territor nuk ekziston tokë shtetërore që mund të vihet në dispozicion të investimit pa marrëveshje me pronarët privatë.
“Duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi ne nuk kemi tokë shtet aty. Copëza që mund të jenë shtet, janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj, kështu që merruni me pronarët. Ky është fillimi, 2023”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se procesi i zhvillimit është ende në fazë të hershme dhe kërkon negociata të drejtpërdrejta me subjektet private.
Kryeministri shtoi se projekti ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, duke përmendur edhe figurat që sipas tij janë të lidhura me promovimin në arenën globale.
“Ju e dini shumë mirë kush janë njerëzit e interesuar, se e di gjithë bota. Bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar Jared Kushner, por bota ka hesapet e veta për të larë dhe ka luftërat e veta për të bërë. Prandaj dhe projekti ka pasur, qysh kur ka dalë fjala e interesimit në mediat amerikane dhe ndërkombëtare, një vend të caktuar në agjendë”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se investitorët janë duke angazhuar ekspertizë ndërkombëtare në fusha të ndryshme, përfshirë arkitekturën, inxhinierinë, mjedisin dhe aspektin juridik të projektit.
“Investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri, mjedis dhe në aspektin juridik”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Rama nënvizoi se administrata shqiptare ka vepruar në mbrojtje të interesit publik dhe ka ndjekur të gjitha procedurat në mënyrë profesionale dhe, sipas tij, edhe patriotike. Duke komentuar imazhet dhe konceptet e publikuara të projektit, Rama tha se ato nuk përfaqësojnë versionin përfundimtar të investimit, pasi sipas tij, projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare e cila ka kërkuar standarde shumë të larta.
“Kam parë imazhe të projektit, pallate… ku i keni gjetur? Ato nuk kanë lidhje me projektin. Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare dhe ju është kthyer mbrapsht. I është thënë: ne duam standard shumë të larta. Nuk ishte se ishte i keq, por ne donim më shumë për vete”, tha ai.
Sipas tij, toka në zonë është e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrat hipotekorë prej vitesh, ndërsa negociatat për pronësinë dhe transaksionet janë çështje që u përkasin vetëm palëve private.
“Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat me pronarët, transaksionet me pronarët janë çështje mes palëve dhe ne nuk kemi hyrë. Ne jemi fokusuar te Sazani, për të cilin ende nuk kanë përfunduar negociatat, sepse ne duam pjesën e shtetit shqiptar dhe negociohet”, u shpreh Rama.
Ai sqaroi gjithashtu se rrethimi i pronës nuk përbën shkelje ligjore, por është pjesë e procedurës së zhvillimit pas marrjes së lejes përkatëse.
“Rrethimi i pronës është bërë bazuar te leja e zhvillimit. Është dhënë leja e zhvillimit, që nuk është leja e ndërtimit. Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit”, deklaroi Kryeministri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.