Rama për 28-vjeçarin e plagosur në protestë: Ju jeni errësira që i mbylli dritën e syrit, u mora personalisht për kurimin e tij në Itali
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të diel për protestën e dhunshme në Tiranë dhe plagosjen e 28-vjeçarit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili pësoi dëmtim në sy.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi pjesëmarrjen në protesta të dhunshme si të rrezikshme, ndërsa akuzoi nxitësit e dhunës se po e përdorin rastin e të riut për të nxitur përplasje të mëtejshme.
Kryeministri bëri gjithashtu me dije se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të tij në një spital të specializuar në Itali, si dhe për transportin me avion mjekësor.
Reagimi i plotë:
“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur
Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!
Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.
Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”, ka shkruar Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.