Rama u lëvdon studentëve kullat me llogaritje fallco

Gjuha vete atje ku dhemb dhëmbi thotë populli. Kështu edhe me kryeministrin Rama i cili të gjitha shembujt për treguar dëmin e protestave ndaj pronës private i ka me oligarkë dhe ndërtues. Ka një shtysë të brendshme të madhe nga ana e tij për të mbrojtur produktet e aleancës me oligarkinë dhe krimin veçanërisht në pastrimin e parave në fushën e ndërtimit.
Kullat, kullat, kullat. Hajde të shkojmë thoshin të shkatërrojmë e djegim kokën e Edi Ramës atje, se e kanë bërë dhe kokën time atë godinën atje. Po e dinë? Nuk e dinë se sa taksa paguhen për ta ndërtuar atë godinë. E dinë që me taksat e asaj godine dhe përqindjen që nga ajo godinë del ndërtohen 5 shkolla të reja, është 3,5 milion euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social?
Kjo ishte sfida që kryeministri Edi Rama u bëri protestuesve studentë, të cilët ndryshe nga ata të Revolucionit të Flamingove, nuk kanë qenë gjithmonë paqësorë por janë përfshirë edhe në akte dhune ndaj institucioneve publike dhe bizneseve, kryesisht atyre të mëdha.
I pashqetësuar për pabarazinë e krijuar në Shqipëri nën qeverisjen e tij; duke injoruar faktin se shumë nga kullat në Tiranë jo vetëm janë të paprekshme për thuajse të gjithë popullsinë veç një pakice të vogël; duke shpërfillur edhe faktin që ato janë kthyer në simbol të pastrimit të parave të narkotrafikut (tashmë të konfirmuar nga hetimet dhe sekuestrimet e SPAK-ut), kryeministri jo vetëm që nuk u përpoq të kuptojë inatin e të rinjve e nuk ofroi zgjidhje, por sërish dha fakte të gabuara.
Kryeministri iu referua ndërtesës në qendër të kryeqytetit që mban formën e kokës së statujës të Skënderbeut, e titulluar “Tirana Rock”, e projektuar nga arkitekti Uini Mas, i firmës hollandeze MVRDV.
Sipas dokumentave zyrtare të shqyrtuara nga Exit.al, godina është pajisur me leje zhvillimi në vitin 2018 dhe ka marrë miratimin e lejes së ndërtimit nga Bashkia Tiranë në janar të vitit 2020.
Projekti ka paguar në formën e taksës së ndikimit në infrastrukturë rreth 347 milionë lekë, afërsisht 2,8 milion euro me kursin e këmbimit në momentin e pagesës së taksës.
Por me këtë shumë mund të ndërtohet afërsisht gjysmë shkolle dhe jo 5 të tilla.
Nëse shihet vlera e prokurimeve të hapura për ndërtimin e shkollave vitet e fundit, kosto mesatare për ndërtimin e një shkolle është afërsisht 5 milion euro, ku çmimi më i ulët për ndërtesa me sipërfaqe të vogël është 3.5 milion euro, ndërsa ka dhe projekte që kushtojnë 7 milion euro.
Por kjo nuk ishte pasaktësia e vetme në deklaratën e kryeministrit. Ai sqaroi se nga ajo kullë janë përfituar 18 apartamente për të pastrehët.
Teorikisht llogaria e kryeministrit duhet të ishte e saktë: taksa e strehimit social është 3% të sipërfaqes së ndërtimit; kjo godinë ka rreth 38 mijë m2 ndërtim dhe investitori duhet t’i dorëzonte afërsisht mbi 1100 m2 sipërfaqe apartamentesh për strehimit sociale. Me një sipërfaqe mesatare prej 60 m2 për banesë, investitori duhet të kontribuonte të paktën 18 apartamente në fondin publik për të mbështetjen e të pastrehëve.
Por e vërteta është se Bashkia Tiranë e ka vjelë e taksën e strehimit jo duke marrë në sipërfaqe apartamentesh, por në vlerë monetare. Kompania Ana shpk, i ka dhënë Bashkisë Tiranë rreth 81 milionë lekë, ose rreth 800 mijë euro, që në të njëjtën ndërtesë nuk mund të blesh as 3 apartamente.
Pse kjo mospërputhje? Pasi ka pranuar kompensim në vlerë monetare dhe jo apartamente, Bashkia e ka llogaritur vlerën me çmimin 700 euro m2. Informacioni që Exit.al ka siguruar tregon se vlera e vërtetë e shitjes së apartamenteve në ndërtesë ka qenë 4-5 mijë euro për m2.
Është e qartë se shqetë
shqetësimi kryesor i Bashkisë Tiranë ka qenë ndërtuesi dhe jo të pastrehët.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi se pa mbledhjen e taksave të kullave shërbimet publike të qytetit dhe infrastruktura e domosdoshme nuk do të ekzistonte.
“E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë, shkolla, trotuare, semaforë, pemë që mbillen dhe të gjitha me radhë? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta?” pyeti ai.
Është e vërtetë që në të ardhurat nga taksat që mbledh Bashkia Tiranë taksa e ndikimit në infrastrukturë ka peshën kryesore. Për vitin 2026 bashkia ka planifikuar të mbledhë 80 milion euro nga kjo taksë nga 131 milion euro taksa në total që ajo ka planifikuar të mbledhë. Thënë ndryshe, 60% e të ardhurave nga taksat të Bashkisë Tiranë sigurohet nga taksa e ndërtimit.
Por po ashtu është e vërtetë se këto të ardhura nuk mjaftojnë as për të shlyer pagat e punonjësve të bashkisë. Vlera e pagave të administratës së bashkisë është 120 milion euro, pra edhe 40 milionë euro më shumë se sa të ardhurat nga taksa e ndërtimit.
Në fakt Bashkia Tiranë është një rast i rrallë ku buxheti i pagave është thuajse i barabartë me atë të investimeve publike (për vitin 2026 planifikuar rreth 125 milionë euro).
Bashkia Tiranë ka në total në administratën bashkiake 9200 punonjës dhe afro 2000 të tjerë të punësuar në kompanitë publike në zotërim të bashkisë. Është një nga bashkitë me numrin më të lartë të punonjësve në raport me popullsinë në Europë, veçanërisht për një pushtet lokal që një pjesë të madhe të shërbimeve si policia e rendit, shkollat, burgjet etj. menaxhohen nga qeveria qendrore.
Nëse sheh në detaje listën e shpenzimeve të bashkisë, projekti që merr fondin më të madh nuk është as për çerdhe, as për kopshte, as për infrastrukturë rrugore apo strehim.
Projekti që merr fondet më të shumta është menaxhimi i mbetjeve me 35 milion euro, ku 20 milion euro shkojnë për kontratën e inceneratorit të Tiranës, i cili nuk ekziston dhe kompania Integrated Energy ndodhet aktualisht në sekuestrim nga SPAK.
Ndoshta janë pikërisht këto arsye—keqmenaxhimi i fondeve publike, zënia e hapësirave publike me kulla të cilave nuk ju afrohet dot 99% e qytetarëve, administrata e fryrë partiake që shërben si shtab elektoral për Partinë Socialiste, mungesa e kopshteve dhe çerdheve të mjaftueshme, qiratë e shtrenjta për studentët dhe sfida e strehimit për shumë familje—kanë bërë që rrugët të mbushen plot me të rinj, të cilët së fundi janë përfshirë dhe në akte dhune.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.