RUSI – Moska synon të rrisë eksportet e naftës deri në 3,5 milionë tonë në muaj, pas marrëveshjes me SHBA-në
– Rusia synon të rrisë eksportet e naftës (diesel) deri në 3–3,5 milionë tonë në muaj deri në fund të vitit 2026, pas marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me karburant, deklaroi sot zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak, sipas “Reuters”.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi javën e kaluar se Rusia kishte rënë dakord të furnizonte tregjet botërore me naftë.
Administrata amerikane vendosi gjithashtu të lehtësojë përkohësisht sanksionet ndaj karburanteve ruse, të cilat synonin të kufizonin të ardhurat e Moskës për financimin e luftës në Ukrainë.
Novak deklaroi se Rusia ka kapacitetin për të rritur eksportet e karburantit dhe për t’u rikthyer në nivelet e regjistruara përpara krizës.
Eksportet e naftës ruse janë reduktuar ndjeshëm për shkak të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive të naftës në Rusi dhe kufizimeve të vendosura nga vetë Moska për shitjet jashtë vendit.
Përpara valës së sulmeve me dronë ndaj rafinerive ruse gjatë viteve 2024–2025, eksportet e këtij karburanti tejkalonin 3 milionë tonë në muaj.
Presidenti Trump tha se Rusia do të furnizonte fillimisht tregjet amerikane dhe ndërkombëtare me më shumë se 300 mijë tonë naftë.
Sipas njoftimit të tij, 500 mijë tonë të tjera do të dërgoheshin në nëntor dhe më vonë një sasi prej 1 milion tonësh.
Marrëveshja synon të rrisë furnizimin me karburant në tregjet ndërkombëtare, në një kohë kur çmimet e larta të naftës, kanë shtuar kostot për transportuesit dhe fermerët amerikanë.
Megjithatë, mundësia e realizimit të objektivit rus mbetet e diskutueshme.
Analistë të tregut të energjisë kanë shprehur dyshime, nëse Rusia do të jetë në gjendje të arrijë vëllimet e premtuara, duke pasur parasysh dëmet ndaj kapaciteteve të saj të përpunimit të naftës.
Marrëveshja ka shkaktuar gjithashtu reagime kritike në SHBA.
Disa ligjvënës nga të dyja partitë kryesore amerikane kanë ngritur shqetësime se lehtësimi i sanksioneve, mund t’i sigurojë Moskës të ardhura shtesë për vazhdimin e luftës në Ukrainë.
Sipas burimeve të cituara nga “Reuters”, përfaqësues të administratës Trump u kanë thënë zyrtarëve ukrainas se marrëveshja për eksportet e naftës ruse, synon gjithashtu të krijojë kushte për rifillimin e negociatave me Moskën për përfundimin e luftës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka kritikuar marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një kthim pas në politikën perëndimore të izolimit ekonomik të Rusisë.
Ndërkohë, sipas Novak, furnizimet shtesë ruse kanë nisur të ndikojnë në tregun ndërkombëtar të dizelit, ku çmimet, sipas tij, kanë rënë me rreth 5–6%.
“Reuters” raportoi se tregjet e naftës po ndiqnin nga afër mundësinë e rritjes së furnizimeve ruse, ndërsa analistët vazhdonin të vinin në dyshim nëse Moska do të arrinte objektivin e shpallur deri në fund të vitit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.