Shembja e ndërtesës në Athinë ku humbën jetën 3 shqiptarë, ngjarja raportohet dhe nga BBC
Një ngjarje tragjike ka tronditur Athinën, ku një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shembjen e një ndërtese në zonën e Plakës, pranë Akropolit. Mes gjashtë viktimave të raportuara nga ngjarja janë edhe tre shqiptarë.
Për ngjarjen e rëndë ka raportuar edhe gjigandi mediatik BBC, duke bërë të ditur se shpërthimi shkaktoi shembjen e plotë të një ndërtese në një prej zonave historike të kryeqytetit grek.
Shpërthimi ndodhi në një rrugë pranë disa prej monumenteve më të vizituara të Athinës, mes Akropolit dhe Tempullit të Zeusit Olimpik. Forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa godina u shemb, ndërsa mbetjet u shpërndanë në rrugët përreth dhe shkaktuan dëme edhe në ndërtesat fqinje.
Ekipet e emergjencës nisën menjëherë kërkimet nën rrënoja, duke përdorur mjete të rënda, kamera termike dhe pajisje të specializuara për kërkim-shpëtimin. Pas disa orësh pune, të gjashtë viktimat u nxorën nga rrënojat.
Sipas të dhënave paraprake, në mesin e viktimave janë shtetas të huaj, ndërsa tre prej tyre raportohet të jenë shqiptarë. Autoritetet greke po hetojnë shkaqet e shpërthimit. Një nga pistat kryesore është një rrjedhje gazi, por shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.