Shisnin dekoderë me kanale pirate, Gjykata e Tiranës dënon me nga 9 muaj burg tre persona
Franci Çela, Ardit Stambolliu dhe Erlin Xhucani u dënuan për mashtrim kompjuterik; dënimi u pezullua dhe u vu në provë për 18 muaj.
Gjykata e Tiranës dënoi me nga 9 muaj burg Franci Çelën, Ardit Stambolliun dhe Erlin Xhucanin për veprën penale “mashtrim kompjuterik”, siç njofton Shqiptarja.com. Sipas njoftimit, të tre vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Ata shisnin dekoderë për të shmangur pagesat në favor të operatorëve televizivë të licencuar. Dekoderët e shitur kishin qindra kanale pirate, ndërsa shitja bëhej duke përdorur rrjetet sociale për reklamim e tregtim.
Gjykata dha dënimin minimal, sepse të pandehurit e pranuan fajësinë në seancën gjyqësore.
Dënimi prej 9 muajsh burg u pezullua dhe u vu në provë për një periudhë 18-mujore. Gjatë kësaj periudhe, të tre kanë detyrimin të mos kryejnë vepra penale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.