SINGAPOR – Merz: Rusia dhe SHBA-ja nuk mund t’i japin fund luftës në Ukrainë pa Kievin dhe Evropën
– Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi sot se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të arrijnë një zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë, pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe vendeve evropiane në negociata, sipas “Reuters”.
Gjatë një fjalimi kryesor në Institutin “ISEAS-Yusof Ishak” në Singapor, në vizitën e parë të turneut njëjavor në Azi, gjatë të cilit do të vizitojë edhe Japoninë dhe Korenë e Jugut, Merz deklaroi se Rusia dhe SHBA-ja nuk mund të arrijnë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë, me përfshirjen e mundshme edhe të Kinës, pa marrë parasysh qëndrimin e Kievit dhe interesat e Evropës.
Ai theksoi se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo procesi që synon t’i japë fund luftës, pasi vendimet për të ardhmen e saj, nuk mund të merren pa përfshirjen e vetë vendit.
Merz tha se Rusia, Ukraina, SHBA-ja dhe vendet evropiane, duhet të jenë të gjitha të pranishme në tryezën e negociatave.
Sipas tij, çdo marrëveshje që përcakton të ardhmen e Ukrainës pa pjesëmarrjen e saj nuk mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme.
Kancelari gjerman theksoi se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë për sa kohë presidenti rus Vladimir Putin, nuk dëshiron t’i japë fund luftës.
Ai argumentoi se Gjermania dhe vendet e tjera evropiane, nuk po mbrojnë vetëm tërësinë territoriale të Ukrainës, por edhe rendin politik të Evropës.
Merz bëri të ditur se Gjermania dhe disa vende të tjera evropiane, po përpiqen të krijojnë një format për dialog të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse, me qëllim gjetjen e një rruge drejt përfundimit të konfliktit.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Finlandës dhe Norvegjisë në këto përpjekje diplomatike.
Udhëheqësit e këtyre dy vendeve zhvilluan sot biseda telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, duke i kërkuar atij t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Deklaratat e kancelarit gjerman, vijnë në një kohë kur vendet perëndimore po diskutojnë mënyrat për t’i dhënë fund luftës, ndërsa mbetet i hapur debati për kushtet e një marrëveshjeje dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftimeve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.