SOFT NEWS – Lumturia me adresë të re: Ishulli 11 miliardë dollarësh që hapet në 2029
– Pse të mjaftohesh me një fundjavë në një spa ose me një javë në një qendër wellness? Mund të bëhet shumë më tepër: të jetosh çdo ditë në mirëqenie. Mjafton të kesh shumë para dhe të jesh i gatshëm të shpërngulesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan repubblica It
Në Gjirin Persik do të ngrihet Fahid Island, një ishull i vogël që synon ta shndërrojë kujdesin për veten në diçka më shumë sesa një pushim të përkohshëm – në një stil të vërtetë jetese.
Hapja e tij është planifikuar për vitin 2029.
Fahid Island në Abu Dhabi do të jetë një kompleks rezidencial me mbi 6.000 banesa, i projektuar për t’u ofruar banorëve mirëqenien më të mirë fizike dhe mendore.
Sipas CNN, projekti ka një vlerë prej 40 miliardë dirhamësh të Emirateve të Bashkuara Arabe (rreth 10,9 miliardë dollarë) dhe drejtohet nga Aldar Development, kompania shtetërore e zhvillimit imobiliar e Abu Dhabit.
Kompania ka bërë të ditur se të gjitha ndërtesat, shërbimet dhe infrastrukturat do të projektohen për të krijuar një “strehë të dedikuar për mirëqenien dhe aktivitetin fizik”.
Programi i certifikimit
I gjithë ishulli do të certifikohet sipas standardit Fitwel, një program për certifikimin e “ndërtesave të shëndetshme”, i zhvilluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe General Services Administration (GSA).
Në zemër të Fahid Island do të ndërtohet Berm Park, një park me gjatësi 10 kilometra.
Ky “korridor i fitnesit dhe mirëqenies” do të përfshijë shtigje për vrapim dhe tre pista për biçikleta, duke shërbyer gjithashtu si një barrierë natyrore vizuale dhe akustike mes plazhit dhe pyllit me mangrova.
Përgjatë 11 kilometrave vijë bregdetare do të ndërtohen tre komplekse rezidenciale me apartamente dhe vila luksoze.
Çmimet e apartamenteve do të nisin nga 1,9 milionë dirhamë (rreth 517.000 dollarë) dhe do të arrijnë deri në 7,6 milionë dirhamë (rreth 2 milionë dollarë) për rezidencat më prestigjioze.
Banorët do të kenë në dispozicion një gamë të gjerë shërbimesh, një bulevard tregtar, plazhe të organizuara dhe qendra për sportet ujore, të gjitha të lidhura me një rrjet prej 15 kilometrash shtigjesh.
Mbi 70% e këtyre rrugëve do të jenë të mbuluara me hije, për ta bërë ishullin të përshkueshëm në këmbë edhe gjatë temperaturave të larta.
Arsimimi në ishull
Arsimimi do t’i besohet King’s College School Wimbledon, shkolla private britanike që do të hapë një kampus në ishull në shtator të vitit 2028.
Ajo do të jetë shkolla e parë në botë që do të marrë certifikimin Fitwel.
Emma McCreery Breen, zëvendëspresidente e lartë e Aldar Development, u shpreh: “Jemi siguruar që çdo vendim, si në projektim ashtu edhe në zhvillimin e projektit, të merret gjithmonë duke pasur në qendër mirëqenien e njerëzve.”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.