Sokrat Vata dëshmon para gjykatës dhe pranon krimin: Nuk e di si e godita, u kërkoj ndjesë familjarëve të turistit
Gazetari i Euronews, Eni Ferati, ka zbardhur dëshminë e Sokrat Vatës, të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçarit portugez në Ksamil, para trupit gjykues të Gjykatës së Sarandës.
Vata ka pranuar autorësinë e krimit, por ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke pretenduar se nuk e ka kuptuar momentin kur ka goditur me thikë turistin, për shkak të sherrit masiv që kishte shpërthyer.
Para trupit gjykues, Sokrat Vata u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës dhe ka shprehur pendesë për atë që ka ndodhur.
“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal. Ata po bënin zhurmë, shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë. E kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha në shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar Vata.
Nuh Mahmutoglu: Vata më telefonoi dhe më kërkoi ndihmë
Ndërkohë, shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i ndaluar pas ngjarjes, ka deklaruar para gjykatës se kishte njohje me Sokrat Vatën dhe se kishin bashkëpunuar për turistët, pasi ai komunikonte në gjuhën angleze.
Mahmutoglu ka thënë se Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 dhe i ka kërkuar ndihmë për ta shoqëruar drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori.
Edhe të ndaluarit e tjerë kanë mbajtur qëndrim mohues para trupit gjykues, duke pretenduar se nuk e kanë parë momentin e sherrit.
Kamerat nuk fiksojnë qartë momentin e goditjes me thikë
Nga analizimi i pamjeve filmike, momenti kur 21-vjeçari portugez është goditur me thikë nuk dallohet qartë.
Në momentin kur është goditur me thikë, i riu ka vijuar të ecë për disa metra dhe më pas ka rënë.
Ndërkohë, nga pamjet e kamerave të lokalit, përveç përleshjes fizike, nuk kuptohet qartë nëse kamarierët e lokalit e kanë konstatuar se 21-vjeçari ishte plagosur dhe nuk kanë njoftuar policinë, apo nëse nuk kanë arritur ta kuptojnë në atë moment se i riu ishte plagosur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.