Spajić: Mali i Zi do të bëjë gjithçka për kompromis me Kroacinë në frymë evropiane
Kryeministri malazez e dha deklaratën pas konferencës ndërqeveritare në Bruksel, ku Mali i Zi mbylli edhe dy kapituj negociues me BE-në, ndërsa ekipet e ministrive të jashtme të dy vendeve, sipas tij, po punojnë pa pushim për çështjet dypalëshe të hapura.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, deklaroi se Mali i Zi do të bëjë gjithçka për të gjetur kompromis në “frymë evropiane” për çështjen që Kroacia e ka ngritur për përfundimin e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi, siç raporton portali kroat MojKraj. “Mali i Zi do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij që të gjejmë kompromis, në frymë evropiane, për të gjitha çështjet që potencialisht na ndajnë”, tha Spajić.
Deklarata u dha pas konferencës së anëtarësimit ku Mali i Zi mbylli dy kapituj: kapitullin 1, Lëvizja e lirë e mallrave, dhe kapitullin 12, Siguria e ushqimit, politika veterinare dhe fitosanitare. Me këtë, numri i kapitujve të mbyllur shkoi në 23 nga 33, ndërsa mbeten edhe 10.
Spajić tha se beson se kjo është një mundësi e shkëlqyer që dy vendet të afrohen në mënyrë evropiane. “Mendoj se kjo është një mundësi e shkëlqyer që dy vendet tona t’i afrojmë në mënyrë evropiane”, tha ai. Ai theksoi se ekipet e ministrive të punëve të jashtme “punojnë pa pushim me ekipin nga Kroacia për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mundshme dypalëshe që mund të ekzistojnë”.
Komisioni Evropian këtë javë publikoi planin me afate sipas të cilit Podgorica mund t’i mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti dhe në qershor të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit. Për çdo hap në negociata, nevojitet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare.
Qeveria e Malit të Zi së fundi vendosi të ndryshojë emrin e pishinës në Kotorr dhe të miratojë formalisht vendosjen e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit, që ishin dy nga tetë kërkesat kroate. Kërkesat e tjera kroate janë zbardhja e fatit të personave të zhdukur, dëmshpërblimi i të burgosurve të Morinjit, ndjekja penale e përgjegjësve për krime lufte, zgjidhja e çështjeve pronësore-juridike të familjeve kroate, çështja e kufirit dhe kthimi i anijes shkollore “Jadran”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.