Sulmet ruse në Ukrainë lënë 15 të vrarë, raketat godasin ekspozitën e dronëve pranë Kievit
Sulmet e reja ruse në Ukrainë kanë lënë të paktën 15 të vdekur, përfshirë 10 nga një sulm me raketa balistike në një ekspozitë pranë Kievit që shfaqte teknologjitë e dronëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në rrjetet sociale se rreth 100 persona u plagosën në sulmin ndaj ekspozitës, në të cilin morën pjesë drejtues të industrisë së mbrojtjes.
Ndërkohë, pesë persona u vranë në qytetin Sloviansk, në Ukrainën lindore, pas bombardimeve ruse.
Në të njëjtën kohë, një sulm ukrainas gjatë natës në qytetin rus të Kirovit, më shumë se 1,000 kilometra nga fronti, vrau gjashtë persona dhe plagosi 26 të tjerë. Ukraina njoftoi gjithashtu se kishte goditur depot e Wildberries, shitësit më të madh online në Rusi.
Pas sulmit pranë Kievit, fillimisht pati shqetësime në lidhje me fatin e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Sergei Beskrestnov , i njohur si Flash, dhe Lyuba Shipovich, e cila ka qenë e përfshirë në zhvillimin e teknologjive për ushtrinë ukrainase. Të dy më vonë konfirmuan se ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Beskrestnov tha se nuk kishte marrë pjesë në këtë aktivitet për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ikhnat, i tha televizionit ukrainas se sulmi u krye me tre raketa balistike, vetëm njëra prej të cilave u interceptua.
Kjo është të paktën hera e tretë që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022 që një ekspozitë e ngjashme teknologjike është goditur. Sulmi shkaktoi reagime të forta në Ukrainë, pasi shumë veta shprehën pyetje në lidhje me faktin se një ngjarje publike e një natyre të tillë u zhvillua dhe dyshohet se u reklamua gjerësisht.
Zelensky njoftoi se ka nisur një hetim për incidentin, ndërsa prokurori i përgjithshëm i Ukrainës tha se po hetonte se kush e miratoi organizimin e ekspozitës dhe çfarë masash sigurie ishin marrë.
Sulmi ndodhi disa orë pasi forcat ukrainase goditën një fabrikë në qytetin e Kirovit dhe depot në veriperëndim të Rusisë.
Sipas Zelensky-t, u godit një nga objektet më të rëndësishme ushtarake në rajon, e cila siguronte komponentë për avionë dhe sisteme raketash të përdorura në sulmet kundër Ukrainës.
Sulmet ndaj objekteve të Wildberries në rajonin e Shën Petersburgut ishin të fundit në një seri sulmesh ukrainase gjatë javës së kaluar.
Këto sulme kanë shkaktuar probleme për shumë biznese të vogla dhe të mesme që punojnë me kompaninë ruse. Kievi pretendon se tani po synon jo vetëm objektet e naftës, por edhe qendrat logjistike, siç janë depot dhe rrjetet e shpërndarjes , pasi ato mund të përdoren për të furnizuar pajisje ushtarake dhe për të rifurnizuar ushtrinë ruse.
Ndërkohë, presidenti rumun Nicos Dan njoftoi se një avion luftarak rumun F-16 rrëzoi një dron rus që shkeli hapësirën ajrore të vendit. Autoritetet rumune kishin lëshuar më parë paralajmërime në disa zona në lindje dhe juglindje të vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.