☀️
Tiranë 14°C · Kthjellët 26 Shtator 2026
S&P 500 7,743 ▲0.51%
DOW 51,829 ▲0.93%
NASDAQ 27,069 ▲0.48%
NAFTA 92.41 ▼2.33%
ARI 4,321 ▲0.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106 EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106
₿ CRYPTO
BTC $84,080 ▲ +0.02% ETH $2,684 ▼ -0.39% XRP $1.5217 ▼ -3.19% SOL $121.2700 ▼ -0.7%
S&P 500 7,743 ▲0.51 % DOW 51,829 ▲0.93 % NASDAQ 27,069 ▲0.48 % NAFTA 92.41 ▼2.33 % ARI 4,321 ▲0.54 % S&P 500 7,743 ▲0.51 % DOW 51,829 ▲0.93 % NASDAQ 27,069 ▲0.48 % NAFTA 92.41 ▼2.33 % ARI 4,321 ▲0.54 %
EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106 EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106
26 Sht 2026
Breaking
Ekonomia

Turizmi ngadalëson rritjen

Shqipëria është kthyer brenda një periudhe relativisht të shkurtër në një nga destinacionet më të kërkuara të rajonit, duke përjetuar një zgjerim të shpejtë të aktivitetit turistik gjatë katër viteve të fundit.

Bërja virale e vendit në rrjetet sociale, ku janë promovuar vija bregdetare, peizazhet natyrore, qytetet historike dhe kostot relativisht të ulëta të pushimeve, është shoqëruar edhe me interes më të madh nga mediat ndërkombëtare.

Kjo valë promovimi ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e vizitorëve të huaj dhe ka nxitur investimet e sipërmarrjet që lidhen me udhëtimet, akomodimin, transportin dhe shërbimet turistike.

Në të njëjtën kohë, është rritur edhe prirja e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit. Zgjerimi i linjave ajrore, shtimi i destinacioneve direkte dhe ofertat e kompanive me kosto të ulët kanë bërë që udhëtimet jashtë të jenë më të arritshme për një pjesë më të madhe të popullsisë.

Megjithatë, pas ritmeve shumë të larta të viteve të fundit, sektori po jep sinjale se po hyn në një fazë më të moderuar rritjeje. Hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj përmes pikave kufitare tokësore, ajrore dhe detare u rritën me 7.6% në vitin 2025, një ritëm dukshëm më i ulët se zgjerimi prej 16% i regjistruar në vitin 2024.

Për shtetasit shqiptarë u shënuan gjithsej 8.6 milionë dalje jashtë vendit, me rritje prej 9%, nga 13.9% që ishte ritmi një vit më parë. Ndërkohë, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 12.5 milionë, ose 6.6% më shumë se në vitin 2024, kur rritja kishte qenë rreth 15%.

Burimi: INSTAT

“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit kishte të ardhura prej rreth 15 miliardë lekë në 2025-n, sipas të dhënave paraprake nga tatimet (shoqëria nuk ka dorëzuar ende bilancin e 2025-s).

Aktiviteti i udhëtimeve ajrore është rritur me shpejtësi pas pandemisë, i nxitur nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik. Në vitin 2025 u shënua një rekord i ri. Të dhënat e “Tirana International Airport” tregojnë se për vitin 2025 kishte rreth 11.6 milionë hyrje-dalje përmes ajrit, me rritje 8.7% krahasuar me një vit më parë duke shënuar rekord historik. Ritmet e rritjes janë ngadalësuar në raport me vitin 2024, kur zgjerimi ishte dyshifror prej 46%.

“Është e rëndësishme të theksohet se aviacioni shqiptar është pjesë e dinamikave të tregut ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, fundi i vitit 2024 dhe viti 2025 kanë qenë me sfida të konsiderueshme në industrinë e aviacionit. Viti 2025 përfaqëson një hap të konsoliduar drejt objektivit tonë strategjik afatmesëm prej 15 milionë pasagjerësh”, ka pohuar më herët Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketingut, në “Tirana International Airport” (TIA).

Ajo shton se parë nga një pikëpamje më globale duhet të theksohet se mesatarja e rritjes së aeroporteve europiane ishte vetëm 4.5%, aeroportet e vendeve jashtë BE-së vetëm 6.2%; ndërsa aeroportet e së njëjtës kategori me TIA-n (10-25 milionë pasagjerë), vetëm 5.8%. “Pra TIA udhëheq çdo tregues rritjeje në çdo kategori të aeroporteve europiane”.

Burimi: INSTAT

Konkurrencë e fortë mes kompanive ajrore

“Wizz Air Malta Albanian Branch” ka hyrë në listën e 200 më të mëdhave në vend. “Wizz Air” hyri në tregun shqiptar në vitin 2017, ndërsa prania e saj u zgjerua ndjeshëm nga viti 2020, me hapjen e bazës në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Kompania ajrore me kosto të ulët është rritur me shpejtësi që kur hyri në tregun shqiptar, duke marrë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve që nga viti 2022. Shoqëria me kapital hungarez e arriti rekordin në vitin 2023, me 61% të tregut. Më pas, pesha u ul lehtë, me hyrjen e operatorit tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”.

Nga viti 2022, shoqëria ka regjistruar degën edhe në Shqipëri, duke deklaruar bilanc (më parë operonte përmes mëmës). Sipas raportit vjetor, më 1 shkurt 2023, pjesa më e madhe e aktivitetit tregtar të Degës Shqiptare të “Wizz Air Hungary” është transferuar te Dega Shqiptare e “Wizz Air Malta”, e cila pritet të nxisë rritjen e aktivitetit të Degës.

Të ardhurat në vitin 2025 për “Wizz Air Malta” ishin 2.34 miliardë lekë, me zgjerim prej 12.4% me bazë vjetore. 92% e këtyre të ardhurave shkuan si shpenzime personeli. Shoqëria kishte një numër mesatar prej 565 punonjësish në vitin 2025, nga 467 në vitin 2024.

Kompania thekson në raportin vjetor se operacioni ushtarak në zhvillim në Ukrainë dhe sanksionet e drejtuara kundër Federatës Ruse, mund të kenë ndikim në ekonomitë europiane dhe ato globale.

“Dega nuk ka asnjë ekspozim të konsiderueshëm direkt ndaj Ukrainës, Rusisë, Bjellorusisë, Iranit ose Izraelit. Megjithatë, ndikimi në situatën e përgjithshme ekonomike mund të kërkojë rishikimin e disa supozimeve dhe vlerësimeve.

Operatori tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”, që hyri në treg në fund të vitit 2023, u kthye në konkurrentin më të fortë të “Wizz Air”, duke marrë 22.3% të udhëtarëve që fluturuan përmes Rinasit në vitin e plotë të parë të aktivitetit.

Në vitin 2025, pesha e shoqërisë u ul lehtë në 21.96%. Kompania nuk ka përfaqësi direkte në Shqipëri dhe nuk dorëzon bilanc.

Burimi: Tirana International Airport

“Air Albania”, shoqëria, ku shteti kishte 10% të aksioneve, i ndërpreu fare fluturimet në nëntor 2025, duke mbyllur një rrugëtim të shkurtër 7-vjeçar.

Kompania kreu fluturimin e parë (inaugurues) në linjën Tiranë – Stamboll në shtator 2018. Linja ajrore kishte si aksioner kryesor kompaninë turke “Turkish Airlines” (49,12%) dhe aksionet e mbetura i ndajnë ndërmarrja shtetërore shqiptare “Albcontrol” (~10%) dhe një kompani private shqiptare “MDN Investment” (~41%).

Në dy vitet në vazhdim, pas fillimit të aktivitetit, kompania u rrit me shpejtësi, për të arritur në 18% të tregut në vitin 2021, duke u renditur në operatorin e dytë pas “Wizz Air”, që në atë kohë kishte 34% të tregut.

Pavarësisht planeve ambicioze, për fluturime në Europë, madje deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Air Albania” jo vetëm nuk u zgjerua, por ajo filloi të humbiste me shpejtësi terren, teksa rritja e operatorit me kosto të ulët “Wizz Air”, i “bllokoi” destinacionet që operonte dhe ato të synuara, me përjashtim të Stambollit.

Nga viti 2024, konkurrenca u shtua dhe nga operatori tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”. Shoqëria u përqendrua vetëm në fluturimet drejt Stambollit, ku operonte dhe kompania tjetër “Pegasus Airlines”, duke zbritur në një peshë tregu atë vit prej vetëm 3.4%.

Goditjen përfundimtare kompania e mori në nëntor 2025, kur “Turkish Airlines” njoftoi se ka vendosur të shesë gjithë pjesën e saj prej 49% në “Air Albania” dhe më pas nuk mundësoi shitjen e biletave tranzit përmes “Air Albania”. Kjo e fundit nisi të anulonte vazhdimisht fluturimet, derisa i ndaloi ato në dhjetor.

Vitin 2025, “Air Albania” e mbylli me një pjesë tregu prej vetëm 2.33%, duke zbritur në operatorin e pestë më të madh në vend.

Kompania ka qenë prej vitesh pjesë e renditjes së më të mëdhave, por nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc, teksa nuk ka dalë asnjëherë me fitim. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023.

Në vitin 2024, të ardhurat ishin rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet. Në vitin 2025, po sipas të dhënave nga Tatimet, “Air Albania” ishte ende pjesë e “Monitor 200”, me një qarkullim vjetor prej rreth 2 miliardë lekësh, me përgjysmim në raport me vitin e mëparshëm.

Burimi: Tirana International Airport

“Albcontrol”, operatori në pronësi publike, që kryen shërbime të transportit ajror, deklaroi të ardhura 3 miliardë lekë, me rënie 14% në vitin 2025.

Në fund të korrikut 2026, Ministria e Ekonomisë, që ishte aksioneri i kompanisë, ka depozituar aktet ku është vendosur çregjistrimi i shoqërisë pa likuidim dhe transferimi i të gjitha të drejtave, detyrimeve dhe pasurive të shoqërisë “Albcontroll” sh.a. tek “Albcontroll” si ent publik.

Lëvizja erdhi, pasi prej disa vitesh, kompania ishte përfshirë në konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, me këtë të fundit që kishte bllokuar llogaritë e “Albcontrol” në Eurocontrol, me një shumë që në fund të vitit 2025 arriti në rreth 200 milionë euro (18.2 miliardë lekë).

Që prej vitit 2020, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi ‘en route’ dhe ‘terminal charge’ si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, për bllokimin e të ardhurave nga shërbimet ‘en route’ dhe ‘terminal charge’, të ofruara nga ‘Albcontrol’”.

Shuma që “Albcontrol”, kompania me pronësi shtetërore, e cila menaxhon trafikun ajror, nuk ka arritur të arkëtojë për shkak të bllokimit të llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, ka arritur në 18.2 miliardë lekë në fund të vitit 2025, nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020.

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i dhënë një kompensim prej 110 milionë eurosh.

Investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e “Albcontrol” në Eurocontrol në Bruksel.

“Air BP Albania”, që ka të drejtën e furnizimit me karburant të avionëve që fluturojnë në Aeroportin e Rinasit, raportoi të ardhura 4.4 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje 39.4% me bazë vjetore. Sipas raportit të aktivitetit, sasia e shitjeve është 65% më e lartë.

Rritja e agjencive turistike

Vitet e fundit, në listën e më të mëdhave, hynë dhe agjencitë turistike, për shkak të një ndryshimi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit, që i detyronte të raportonin si të ardhura edhe vlerën e biletave, jo vetëm marzhin që mbanin. Kjo e rriti ndjeshëm xhiron e tyre, që në fakt nuk raporton aktivitetin real, që përbëhet nga marzhi dhe komisionet.

“Globus-Travel” ka kaluar në operatorin më të madh turistik në vend, me të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me zgjerim 2.5%.

“Gjatë vitit 2025, shoqëria vijoi aktivitetin e agjencisë së udhëtimit, shitjen e biletave dhe organizimin e shërbimeve turistike. Ecuria u karakterizua nga rritja e moderuar e qarkullimit, përmirësimi i rezultatit operativ dhe i fitimit neto, si dhe rritja e konsiderueshme e gjendjes së mjeteve monetare”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Albtours‘D’-VAS tour operatore” është agjencia e dytë më e madhe e udhëtimeve në vend. Të ardhurat e operatorit ranë me 10%, në 3.1 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, të gjitha të ardhurat janë nga shërbimi “ticketing”.

“Landways International” ka hyrë sërish në listën e 200 më të mëdhave, pasi rriti të ardhurat me 13%, në 2.7 miliardë lekë. Ndryshe nga operatorët e tjerë, që i kanë të ardhurat kryesisht nga biletat, shoqëria kishte 2.4 miliardë lekë të hyra nga turet, duke qenë e specializuar në organizimin e udhëtimeve rajonale.

Shoqëria kishte rreth 70 të punësuar dhe ka aksione në Kroaci, Kosovë e shtete të tjera.

Lexoni edhe:

Biznesi i hoteleve, dominon bregdeti, “Meliá” bëhet më i madhi në vend pas tre vitesh aktivitet

Modeli kaotik i zhvillimit të hotelerisë, Tirana treg i maturuar, çdo bëhet me kullat?!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.