Ukraina kritikon planin e AIEA-s për të emëruar në një post të lartë një zyrtar rus të sanksionuar
Ukraina denoncoi të mërkurën një propozim të drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIEA) për të emëruar një zyrtar rus të sanksionuar nga Kievi në një post të lartë në agjencinë bërthamore të OKB-së në Vjenë, sipas agjencisë Associated Press (AP).
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e quajti emërimin e propozuar të Alexey Ferapontov si zëvendësdrejtor i përgjithshëm “kategorikisht të papranueshëm” dhe i kërkoi kreut të AIEA-s, Rafael Mariano Grossi, që ta “braktisë këtë emërim”, në një postim në X, njoftoi AP.
Në një shënim të dërguar më 16 nëntor të gjithë 35 anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve të AIEA-s, të cilin AP e ka parë, Grossi propozoi emërimin e Ferapontov në postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Departamentin e Energjisë Bërthamore.
Sipas AP, Ferapontov është i sanksionuar nga Ukraina, ka qenë më parë drejtor i Rosenergoatom, operatori më i madh rus i energjisë bërthamore, dhe që nga marsi i vitit 2023 është sekretar ekzekutiv në Agjencinë Federale Ruse për Energjinë Atomike, Rosatom.
Ukraina kritikoi gjithashtu AIEA-n se po tregohet “indiferente” ndërsa siguria bërthamore po përkeqësohet, veçanërisht në centralin e Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i vendosur në jugun e pushtuar nga Rusia. Centrali është jashtë funksionit dhe ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm me energji për të ftohur reaktorët e ndalur, ndërsa, sipas AP, që nga 23 shtatori nuk ka energji nga jashtë dhe po mbështetet te gjeneratorët me naftë.
Sipas AP, çështja thekson tensionin mes Ukrainës dhe AIEA-s në një kohë kur siguria e centraleve bërthamore në zonat e luftës mbetet një shqetësim i madh ndërkombëtar, ndërsa Kievi kërkon që emërimet në poste kyçe të agjencisë të mos u besohen zyrtarëve të lidhur me Rusinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.