Ushtria iraniane nis trajnime ushtarake bazë për civilët në Teheran
Programi i «mbrojtjes kombëtare» do të zhvillohet në tre qendra në kryeqytet, me personel nga të katër degët e ushtrisë, njoftoi zëvendëskomandanti për trajnim dhe edukim, gjeneral Alian-Nejad.
Ushtria iraniane planifikon të fillojë trajnimin e vullnetarëve sipas një programi që synon përgatitjen e qytetarëve për «mbrojtjen kombëtare», raportoi agjencia iraniane e lajmeve West Asia News Agency (WANA), siç përcjell Al Jazeera në blogun e saj live për luftën.
Gjeneral brigade Mohammad Reza Alian-Nejad, zëvendëskomandanti i ushtrisë për trajnim dhe edukim, tha se programi do të zhvillohet në tre qendra në Teheran duke filluar nga sot. Sipas tij, personel nga të katër degët e ushtrisë do të dërgohen në disa vende të caktuara «kazerma fushore» për t’u dhënë vullnetarëve «trajnime bazë ushtarake», të pasuara nga kurse më të avancuara.
Njoftimi vjen në një moment kur Irani po përgatitet për mundësinë e një fushate të re bombardimesh amerikane, më të gjerë se ato të mëparshme, sipas burimeve të cituara në mediat ndërkombëtare. Autoritetet iraniane kanë forcuar së fundmi retorikën e mobilizimit, me fushatën «Janfadaa» që pretendon se më shumë se 31 milionë iranianë janë regjistruar si vullnetarë për të shërbyer.
Paralelisht, media iraniane raportuan se Teherani ka arrestuar 31 persona që u përkasin katër rrjeteve të mbështetura nga SHBA-të dhe Izraeli, të lidhura me përpjekje për të nxitur trazira dhe akte sabotimi, sipas raportimit të Al Jazeera-s.
Programi i ri i trajnimit të civilëve konsiderohet si një tjetër sinjal i përgatitjeve të Iranit për një konflikt të zgjatur, ndërkohë që bllokada amerikane vazhdon të shtrëngojë eksportet e naftës dhe ekonominë e vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.