VARSHAVË – Polonia intercepton sërish një avion rus të zbulimit mbi Detin Baltik
VARSHAVË, 3 shtator /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore polake kanë interceptuar për herë të dytë, brenda pak ditësh, një avion rus zbulimi mbi Detin Baltik, njoftoi sot ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
Sipas ministrit, avioni rus i zbulimit Il-20 po fluturonte rreth 40 kilometra në veri të qytetit bregdetar Ustka, në Poloni.
Avioni rus kishte transponderin të fikur – që tregon se pajisja që transmeton identifikimin dhe të dhënat e fluturimit nuk ishte aktive.
Sipas ministrit polak, kjo përbënte rrezik për trafikun ajror civil.
“Megjithatë, avioni rus nuk hyri në hapësirën ajrore të Polonisë”, shtoi ministri.
Një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe të hënën.
Në atë që quhet “interceptim në fluturim”, avionët luftarakë polakë i afrohen avionit të huaj, për të krijuar kontakt vizual me ekuipazhin dhe më pas i japin sinjal që të largohet nga zona.
Në Poloni dhe në vendet baltike ekzistojnë shqetësime se Rusia, për shkak të vështirësive që po has në luftën në Ukrainë, mund të përpiqet gjithnjë e më shumë të provokojë vendet anëtare të NATO-s, për shembull përmes fluturimeve të avionëve të zbulimit. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.