VARSHAVË – Polonia ul taksat dhe vendos kufi për çmimet e karburanteve
VARSHAVË, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Qeveria polake ka vendosur një paketë të re masash për uljen e çmimeve të karburanteve, pasi presidenti Karol Nawrocki miratoi një ligj që vendos një taksë të veçantë mbi fitimet e kompanive të naftës dhe karburanteve.
Masat e reja hyjnë në fuqi nesër dhe do të zbatohen deri në fund të vitit.
Ato parashikojnë uljen e TVSH-së për karburantet nga 23% në 8%.
Gjithashtu do të aplikohet një taksë më e ulët mbi energjinë dhe Ministria e Energjisë do të përcaktojë çdo ditë një çmim maksimal për karburantet.
Ministria njoftoi se çmimi maksimal për fundjavën dhe të hënën do të jetë rreth 1,54 euro për litër për benzinën normale, 1,73 euro për benzinën premium dhe 1,80 euro për naftën.
Krahasuar me çmimet mesatare në pikat e karburantit sot në mëngjes, masat mund t’u kursejnë drejtuesve të automjeteve deri në 32 cent për litër, në varësi të llojit të karburantit.
Paketa e masave u miratua pasi presidenti konservator i Polonisë, Karol Nawrocki nënshkroi dje në mbrëmje ligjin për taksën mbi fitimet e jashtëzakonshme.
Në verë, ai refuzoi një version të mëparshëm të këtij ligji, të propozuar nga qeveria e qendrës së majtë.
Pas nënshkrimit të ligjit, Nawrocki tha se çdo zlot i mbledhur nga kjo taksë duhet të përdoret për uljen e çmimeve të karburanteve.
Taksa do të zbatohet për periudhën nga marsi 2026 deri në mars 2027 dhe do të prekë kompanitë që prodhojnë ose përpunojnë karburante përmes licensave të huaja.
Të ardhurat nga kjo taksë do të kalojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
Edhe pse e nënshkroi ligjin pas presionit publik, Nawrocki e ka dërguar atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vlerësojë nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën.
Kryeministri Donald Tusk, i cili është përballur disa herë me vetot e presidentit ndaj politikave të qeverisë, reagoi përmes një videoje ironike në rrjetin social X.
Në video, ai shihet duke kaluar pranë pallatit presidencial me një gotë kafeje në dorë duke thënë me ironi: “Atëherë, për çfarë ishte gjithë kjo zhurmë?”
Ndërkohë, edhe në Gjermani prej disa muajsh po diskutohet mundësia e vendosjes së një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, të dy nga CDU-ja konservatore, janë kundër kësaj ideje, ndërsa zëvendëskancelari Lars Klingbeil, nga SPD-ja e qendrës së majtë, e mbështet atë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.