Xhemajli kujton burgosjen dhe vuajtjet e Flora Brovinës: Nuk lejoi që burgu t’ia mposhtë shpirtin, përkundrazi, vuajtja e forcoi karakterin e saj
Në mbledhjen komemorative për nder të Flora Brovinës, ka folur edhe Bajrush Xhemajli, përfaqësues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe Shoqërisë “Lëvizja”.
Xhemajli ka vlerësuar figurën e Brovinës, duke thënë se ajo lidhet me dinjitetin, qëndresën dhe sakrificën, ndërsa ka kujtuar edhe periudhën e burgosjes së saj.
“Në emër të Shoqatës të të Burgosurve Politikë kam nderin të them disa fjalë për doktoreshë Florën, një emër që lidhet me dinjitetin, qëndresën dhe sakrificën… Për veprimtarinë e saj patriotike çlirimtare, Flora u arrestua, u burgos dhe u dënua me 12 vjet burg. Prandaj, edhe kalvari i vuajtjeve të saj ishte pa fund. Ndarja larg fëmijëve e familjes, në qelitë e ftohta të burgjeve të Kosovës e pastaj transferimit në burgjet serbe, njëherë në Pozharevc e pastaj në Nish.
Në këto burgje, siç do të dëshmojë edhe vetë pas çlirimit të saj, u mbajt e izoluar pjesën më të madhe të kohës së dënimit. Megjithë këto rrethana të krijuara, doktoresha gjeti kurajën për të përballuar stoikisht krejt vuajtjet fizike e shpirtërore, pa u trembur e me dinjitet. Nuk lejoi që burgu t’ia mposhtë shpirtin, përkundrazi, vuajtja e forcoi karakterin e saj. Ajo ishte e vetëdijshme se ishte në qeli jo pse kishte bërë krim, por pse i është mohuar liria si shqiptare, për shkak të bindjeve të qëndrimeve të saj ndaj okupatorit. Pas çlirimit, u bë amnesti e të burgosurve dhe edhe doktoresha Flora u lirua”, u shpreh Xhemajli.
Varrimi i Flora Brovinës bëhet sot, më 18 shtator në Arbëri në Prishtinë, në orën 16:00.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.