“Zvërneci”, Rama: Nuk po ndërtohet në Vjosë, por në zonë të kategorisë V! Laguna nuk preket
Kryefjala në mbledhjen e kësaj të hëne, më 1 qershor, të grupit të Partisë Socialiste ishte projekti zhvillimor në Zvërnec.
Kryeministri Edi Rama dha shpjegime për situatën e krijuar ditëve të fundit atje dhe për statusin e zonës së Pishë-Poros, për të cilën është protestuar së fundmi. Kreu i qeverisë theksoi se zona ku do të zhvillohet projekti nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së I apo të II, por e kategorisë së V-të, si peizazh i mbrojtur.
“Nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së 1 apo të 2, por klasifikohet edhe sipas IUCN-së kategori e 5. Peizazh i mbrojtur! Dhe për shpalljen peizazh i mbrojtur dhe të gjitha detajet ka një vendim qeverie, por ajo që është e rëndësishme të thuhet dhe nuk u është treguar juve, në 2017, këto ligje në vendin tonë janë adoptuar në mënyrë të plotë. Dhe thelbi i ligjit tonë për zonat e mbrojtura është marrë nga standardet më të larta ndërkombëtare. Sa më pranë kategorive 1 dhe 2 aq më shumë kufizohet, ndërsa kategoritë 5 dhe 6 janë të ndërtuara për bashkëveprimin”, tha Rama, duke shtuar se prandaj zona e kategorisë 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim, por si zonë ku kanë bashkëjetuar dhe do të vazhdojnë të bashkëjetojnë natyra dhe njerëzimi. Madje shtoi se edhe në hartën e Europës ka jo pak laguna, shumë përafërsisht të ngjashme ku ka aktivitet të plotë ekonomik dhe social.
“Prandaj miqtë e mi, ne nuk kemi bërë asnjë heqje nga asgjë. Pishë-Poroja ka qenë dhe do jetë peizazh i mbrojtur!”, theksoi ai.
Rama shtoi gjithashtu se nuk po ndërtohet mbi zonën e mbrojtur të Vjosës: “Njëkohësisht peizazhi i mbrojtur Pishë-Poro–Nartë, quhej Vjosë-Nartë. Nuk po ndërtohet në Vjosë! Zona e këtij projekti nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur të parkut kombëtar të mbrojtjes. Aty s’mund të bëhen resorte.”
Më pas ai nisi të shpjegojë dhe procesin e ndjekur nga investitorët.
“Të shkojmë pak te procesi që kanë ndjekur investitorët. U paraqitën për herë të parë në Shqipëri në 2023. Pastaj vazhduan bisedimet me shtetin për zonën dhe me privatët punët e tyre. Projekti nuk u miratua në formën e paraqitur fillimisht. Aplikimin e tyre të parë ata e kanë bërë më 10.09.2024 dhe KKT e ka rrëzuar projektin dhe ka kërkuar që të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të sigurohet ruajtja e lagunës. Janë të shkruara këto, janë në procesverbale. Dhe gjithmonë flasim për konceptin, jo projektin e ndërtimit. Janë miratuar vetëm pasi janë plotësuar një nga një kushtet e vendosura. Në vitin 2024 nuk u miratua një projekt arkitektonik dhe sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar! Nuk ekziston!”, tha Rama.
Ai shtoi se 5 studiot ndërkombëtare më të mira në botë janë angazhuar për të bërë studimin mjedisor.
“Nuk e kemi të paraqitur akoma studimin mjedisor! E kuptoni ju apo jo?! Kompania që ka marrë përsipër të bëjë gardhin do paguajë një gjobë të madhe, ndërsa kompania tjetër për dhunën nuk do punojë më në Republikën e Shqipërisë. E keni parë që kanë ardhur investitorët. Nuk kanë ardhur për pushime apo për fotografi, por me të gjithë grupin e arkitektëve dhe inxhinierëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të historisë e gjeologjisë të Shqipërisë, të cilët janë gjallë, dhe kanë folur për të gjitha këto aspekte, dhe grupi i tyre ka dëgjuar dhe ka mbajtur shënime.
Në mars 2026 është paraqitur një projekt krejt tjetër, i rikonceptuar, me një qasje krejt tjetër projektuese e zhvillimore, dhe KKT nuk e ka miratuar të gjithin siç e kanë paraqitur dhe kanë vendosur kushte përsëri dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit.”, shtoi kryeministri, sipas të cilit të gjitha çfarë tha sot janë të shkruara.
Projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private, të pakontestuar dhe në asnjë copë toke tjetër shtetërore. Ai zbuloi se projektet e mëparshme madje kishin të konceptuar edhe ndërtimin e një marine, gjë që ishte hedhur poshtë.
“Është e shkruar. Laguna është e mbrojtur. S’mund të ketë marinë! Kishte marinë në versionin e parë dhe të dytë. U hoq! Dhe për marinën është kërkuar të hartohet më pas një raport i detajuar dhe vetëm pasi të jetë parë projekti tjetër në tërësi. Nuk po ju them që investitorët thonë se nuk e kanë pritur kurrë që në Shqipëri shteti të jetë kaq rigoroz, edhe pse ata më kryesorët në SHBA më kanë thënë çdo gjë sipas librit të ligjit. Nuk kemi ardhur të importojmë barsoleta e filma për veten se boll kemi, por të bëjmë një investim për Shqipërinë, për ne dhe për Europën. Përcaktimi i brezit mbrojtës, flas për vendimin, projekti duhet të konsiderojë e respektojë një brez mbrojtës nga vija bregdetare e lagunës, pas koordinimit me autoritetet përgjegjëse.”, tha Rama.
Kryeministri shtoi gjithashtu se distanca me habitatin është e mbrojtur.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.