Zvërneci/ Thirrja e Ramës: Bujrum për bashkëbisedim, jo më shumë 20 vetë
Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale këtë të martë, 2 qershor, ka ndarë pamje nga protesta e djeshme (1 qershor), e mbajtur përpara Kryeministrisë.
Rama shkruan se është i gatshëm për një bashkëbisedim publik lidhur me çështjen e protestës, por cilëson se nuk duhet përdorur ofendime ndaj familjarëve.
Ai thekson se është i hapur në çdo moment për bashkëbisedim publik, por jo më shumë se 20 veta.
“Çuna❤️
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time,
unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian“, shkruan Rama.
Kujtojmë, se nga konferenca e kësaj të marte, krah Presidentit të Këshillit të Evropës, Antonio Costa , Rama u shpreh se për sa kohë të jetë në detyrën e kryeministrit, ky projekt nuk do të anulohet.
Për të disatën herë Rama theksoi se projekti do të jetë në standarde europiane, ndërsa mori edhe si shembull rastin e Costa Navarinos në Greqi. Sipas tij, ai rast ka sjellë 3.5 miliardë euro ndikim në atë rajon, si dhe ka gjeneruar mijëra vende punë.
Madje tha se do të ndiqet një “model edhe më i lartë” se ai i ndjekur atje.
Ditën e hënë, më 1 qershor, u mbajt protesta e dytë qytetare para Kryeministrisë lidhur me situatën e krijuar në Zvërnec. Ndërsa sot përsëri pritet të zhvillohet një protestë e tretë, në Sheshin Nënë Tereza, në orën 18:00.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.