ZVICËR – Aksident zinxhir në autostradë, përplasje mes 37 automjeteve, 10 të plagosur
– Një aksident masiv rrugor është regjistruar sot në mëngjes në Zvicër, ku janë përfshirë 37 automjete, duke lënë të plagosur 10 persona, sipas swissinfo.ch
Aksidenti ndodhi rreth orës 05:45, në afërsi të qytetit Winterthur, në Zyrih.
Sipas Policisë së Zyrihut, në aksident u përfshinë 23 automjete, tetë kamionë dhe gjashtë furgonë.
Përplasjet e njëpasnjëshme ndodhën pranë urës Hammermühle, në zonën Kemptthal, ndërmjet daljeve Effretikon dhe Winterthur-Töss.
Nga 10 personat e plagosur, gjashtë kanë marrë plagë të lehta, ndërsa katër të tjerë kanë pësuar plagë të shkallës së mesme.
Ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe për të kryer operacionet e shpëtimit.
Një person u nxor nga automjeti ku kishte mbetur i bllokuar.
Shkaqet e përplasjes masive ende nuk janë përcaktuar. Sipas policisë, kushtet e vështira atmosferike dhe rruga me karakteristika dimërore mund të kenë ndikuar në aksident.
Si pasojë e përplasjes, një pjesë e madhe e automjeteve u dëmtuan dhe u desh të largoheshin me mjete të posaçme tërheqëse.
Autostrada A1 në drejtim të St. Gallenit ku ndodhi aksidenti, u mbyll për disa orë për t’i mundësuar ekipeve të emergjencës kryerjen e ndërhyrjeve dhe policisë hetimin e ngjarjes.
Për drejtuesit e mjeteve u vendosën rrugë alternative, ndërsa autoritetet këshilluan shmangien e zonës së aksidentit.
Autoritetet zvicerane po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të përplasjes. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.