ZVICËR – Një referendum lehtëson eksportin e armëve dhe ndalon fishekzjarrët
GJENEVË, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Votuesit zviceranë miratuan lehtësimin e rregullave të rrepta të vendit për eksportin e armëve në një referendum, ku 54,3% e votuesve votuan pro, njoftoi sot Zyra Federale e Statistikave në rezultatin e saj përfundimtar.
Ky rezultat nënkupton se, në shumë raste, blerësit e pajisjeve ushtarake të prodhuara në Zvicër nuk do të kenë më nevojë për miratimin e Zvicrës për t’i transferuar ato në vende të tjera.
Aktualisht, legjislacioni zviceran nuk lejon eksportin e armëve drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura – krahas kufizimeve të tjera – pavarësisht nëse ato janë agresorë apo po mbrohen.
Kjo politikë kufizuese i tensionoi ndjeshëm marrëdhëniet me vende mike, si Gjermania, në fillim të luftës në Ukrainë, pasi Zvicra refuzoi t’u lejonte Gjermanisë dhe vendeve të tjera transferimin e pajisjeve ushtarake të blera në Zvicër.
Qeveria zvicerane ishte e shqetësuar për konkurrueshmërinë e industrisë së mbrojtjes së vendit, pasi shtetet mike thjesht po u drejtoheshin furnizuesve të tjerë për të blerë pajisjet e tyre ushtarake.
Në një referendum të dytë, votuesit miratuan një ndalim gjithëpërfshirës të fishekzjarrëve – kundër dëshirës së qeverisë dhe parlamentit – pasi një nismë qytetare vuri në dukje stresin dhe panikun që u shkaktohet kafshëve shtëpiake dhe atyre të egra nga fishekzjarrët e zhurmshëm.
Sipas rezultateve përfundimtare të Zyrës Federale të Statistikave, 59,8% e votuesve mbështetën ndalimin e fishekzjarrëve “që prodhojnë zhurmë”.
Ky ndalim do të vlejë kryesisht për individët privatë dhe pritet të hyjë në fuqi brenda dy viteve të ardhshme.
Shfaqjet publike me fishekzjarrë gjatë festivaleve dhe Ditës Kombëtare të Zvicrës do të vazhdojnë të lejohen./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.