Mbeturinat e raketave të interceptuara plagosin katër persona dhe dëmtojnë 15 shtëpi në Riad
Mbrojtja Civile saudite njoftoi se copat e raketave të rrëzuara mbi kryeqytetin lanë katër të plagosur, mes tyre një fëmijë, dhe shkaktuan dëme të kufizuara në 15 shtëpi.
Katër persona u plagosën dhe 15 shtëpi pësuan dëme të kufizuara në Riad nga mbeturinat e raketave të interceptuara mbi kryeqytetin saudit, njoftoi Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite. Mes të plagosurve janë dy gra, një burrë dhe një fëmijë, siç njofton Al Jazeera, duke cituar autoritetet saudite.
Sipas raportimit të Reuters, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite rrëzoi gjatë natës tre raketa që synonin kryeqytetin, ndërsa dy dronë u rrëzuan në jug të vendit. Mbrojtja Civile kishte lëshuar më herët alarme për rrezik të mundshëm në Riad dhe në Provincën Lindore, ku në të njëjtën mbrëmje u godit edhe një ndërtesë administrative e Aramco-s në Dhahran.
Sulmet ndaj Riadit janë pjesë e valës së re të goditjeve të Huthi-ve të lidhur me Iranin kundër Arabisë Saudite. Fundjavën e kaluar, një sulm ndaj aeroportit ndërkombëtar King Khalid la 13 të vrarë dhe më shumë se 300 të plagosur, ndërsa aeroporti i kryeqytetit mbetet i pezulluar.
Autoritetet saudite kanë premtuar përgjigje të vendosur ndaj sulmeve, ndërsa koalicioni ka goditur ditët e fundit objektiva të Huthi-ve në Sanaa, Hodeidah dhe Dhamar, duke e quajtur operacionin si përpjekje për të neutralizuar aftësitë e grupit për të kërcënuar mbretërinë dhe rrugët ndërkombëtare detare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.