2025, rritet prodhimi i qumështit të lopës, bie i dhive dhe deleve
Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri shënoi një ecuri pozitive gjatë vitit 2025 sa i përket vëllimit të përgjithshëm të grumbulluar, por shifrat e detajuara zbulojnë rënie e ndjeshme në sektorin e bagëtive të imëta.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar në subjektet përpunuese arriti në rreth 101 mijë tonë, duke regjistruar një rritje prej 6,9% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, kjo rritje është mbështetur thuajse ekskluzivisht nga performanca e qumështit të lopës, i cili mbetet shtylla kryesore e industrisë me 84 mijë tonë të grumbulluara, ose një rritje prej 12,5%.
Në kahun e kundërt të kësaj ecurie, sektori i bagëtive të imëta. Qumështi i deles shënoi një rënie drastike prej 21,1%, duke zbritur në 9 mijë tonë. Qumështi i dhisë gjithashtu shënoi një rënie prej 4,3%, duke u ndalur në rreth 8 mijë tonë.
Kjo tendencë rënëse është pasqyruar edhe në nënproduktet e përpunuara. Prodhimi i djathit, ndonëse u rrit me 1,9% në total falë performancës së fortë të produkteve nga qumështi i lopës (+9,9%), por prodhimi i djathit nga qumështi i deles ra me 21,8%, ndërsa ai nga qumështi i dhisë shënoi një rënie prej 1,7%.
INSTA I grumbulloi të dhënat nga Anketa e Qumështit dhe Nënprodukteve të tij për vitin 2025, e cila monitoron ndërmarrjet aktive në përpunimin e qumështit në vend.
Me gjithë këtë rritje vitin e kaluar çmimet e bulmetit shënuan rritje të mëtejshme duke bërë vendin tonë nga më të shtrenjtat në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat Shqipëria u renditet e treta pas Zvicrës dhe Norvegjisë me nivelin më të lartë të çmimeve të bulmetit.
Sipas të dhënave të Eurostat të publikuara së fundmi, çmimet qumështit dhe bulmetrave në Shqipëri ishin 135.6 për qind e mesatares së BE në vitin 2025 (BE27=100), pothuajse në të njëjtin nivel me Norvegjinë, me 135.7 për qind.
Shqipëria ka pasur veçanërisht një rritje të fortë gjatë katër viteve të fundit. Indeksi nga 112.3 në vitin 2022 arriti në 135.6 vitin e kaluar, duke bërë që çmimet e qumështit dhe vezëve të jenë 36% më të larta se mesatarja e BE-së.
Ndryshe nga vendet e pasura si Zvicra dhe Norvegjia, ku çmimet e larta shoqërohen me paga dhe fuqi blerëse shumë më të larta, në Shqipëri ky nivel çmimesh ka një peshë më të rëndë në buxhetet familjare. Kjo është veçanërisht e ndjeshme sepse qumështi, nënproduktet e tij dhe vezët janë pjesë e shportës ushqimore bazë dhe lidhen me mbarëvajtjen e shëndetit si te të rinjtë dhe të moshuarit.
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.