23 motoçikleta të reja për Policinë e Shtetit, u blenë me fondet nga pasuritë e konfiskuara të krimit
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, morën pjesë në ceremoninë e prezantimit të 23 motoçikletave të reja, të cilat do t’i shtohen flotës së Policisë Rrugore dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Investimi është realizuar me fondet e siguruara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, përmes të ardhurave të krijuara nga administrimi i pasurive të konfiskuara me origjinë nga aktiviteti kriminal.
Gjatë ceremonisë, ministri Lamallari e cilësoi këtë investim si një shembull konkret të mënyrës se si pasuritë e përfituara nga krimi rikthehen në shërbim të qytetarëve.
“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit. Jo vetëm sepse flotës së saj i shtohen dhjetëra motoçikleta të reja që do të përdoren nga Policia Rrugore dhe forcat ‘Shqiponja’, por sepse këto mjete përfaqësojnë një vizion të qartë të qeverisë sonë në luftën kundër krimit”, u shpreh Lamallari.
Sipas ministrit, goditja e bazës ekonomike të grupeve kriminale mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme në luftën kundër paligjshmërisë.
Duke iu drejtuar efektivëve të Policisë së Shtetit, Lamallari vlerësoi punën dhe vetëpërmbajtjen e tyre gjatë situatave të fundit të tensionuara, duke theksuar se uniforma e policisë kërkon përgjegjësi dhe reagim vetëm brenda kuadrit ligjor.
“Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit”, deklaroi ministri.
Ai theksoi gjithashtu se çdo pretendim për shkelje duhet të hetohet mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore, duke shtuar se askush nuk duhet të gjykohet publikisht vetëm nga perceptimet apo zhurma në rrjetet sociale.
“E vërteta lind vetëm nga hetimi i plotë dhe drejtësia ndërtohet mbi prova”, tha Lamallari.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u shpreh se ky investim nuk është vetëm një shtim logjistik, por një përforcim i kapaciteteve operacionale të policisë në terren.
Sipas tij, motoçikletat e reja do t’i mundësojnë forcave të rendit ndërhyrje më të shpejta, kontroll më efikas të territorit dhe reagim më të menjëhershëm ndaj emergjencave dhe ngjarjeve kriminale.
Hita bëri të ditur se vetëm gjatë periudhës 2024–2026, përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, janë mundësuar financime me vlerë rreth 4.7 milionë euro për Policinë e Shtetit.
Këto fonde, sipas tij, janë përdorur për pajisje, automjete, sisteme teknologjike dhe investime të tjera në sektorë të rëndësishëm të sigurisë, përfshirë luftën kundër narkotikëve, krimit kibernetik dhe forcimin e kontrollit kufitar.
“Çfarë dikur u është marrë qytetarëve përmes paligjshmërisë, sot u kthehet atyre në formën e sigurisë, rendit dhe mbrojtjes së jetës”, deklaroi Hita.
Në përfundim të ceremonisë, drejtuesit e Policisë së Shtetit theksuan rëndësinë e profesionalizmit dhe integritetit të efektivëve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku mjetet e reja pritet të rrisin praninë dhe shërbimin policor në terren.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.