5 interpelanca urgjente në Kuvend, zbardhet rendi i ditës për seancën e së enjtes
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të enjten, në orën 10:00, seancën plenare të radhës. Në mbështetje të urdhrit nr. 54, datë 15 shtator 2026, të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, është përcaktuar edhe rendi i ditës së seancës.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 8 shtator, ndërsa në rendin e ditës janë parashikuar pesë interpelanca urgjente të kërkuara nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
E para është me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e dyta me Ministrin e Punëve të Brendshme, ndërsa interpelancat e tjera janë me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Po ashtu, deputeti Blendi Himçi ka kërkuar një interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Në vijim, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, mes tyre projektligjin për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të bërë në Hagë më 16 dhjetor 2025.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.
Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu projektligjin për pranimin e vendimit të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Ky projektligj kërkon shumicë të cilësuar votash për miratim.
Në seancë do të shqyrtohet edhe projektligji “Për disenjot”, si dhe projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”.
Në fund të seancës do të hidhen për votim tre projektvendime që lidhen me ndryshimet në kryesitë, anëtarësinë dhe anëtarët zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Seanca do të mbyllet me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës. Sipas Rregullores së Kuvendit, çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta, ndërsa nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.