“Albanian Files”, Bardhi dorëzon kallëzim penal në SPAK për Edi Ramën
Pas kallëzimit në SPAK për financimin prej 4.2 milionë eurosh të koncertit të Kanye Ëest, Partia Demokratike ka depozituar sërish sot një tjetër kallëzim penal për kryeministrin Edi Rama në lidhje me “Albanian Files”. Në kallëzimin që mban firmën e kreut të grupit demokrat Gazment Bardhi, PD e akuzon kreun e qeverisë për “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, në formën e “grupit të strukturuar kriminal”, në lidhje me çështjen e quajtur “Albanian Files”.
Sipas kallëzimit, libri “The Albanian Files – Freedom and Architecture” zbulon një skemë ku, sipas PD-së, Rama përzgjidhte studio ndërkombëtare arkitekture dhe i lidhte ato me investitorë shqiptarë, të cilët më pas përfitonin leje ndërtimi për projekte në Tiranë dhe zonat bregdetare.
PD pretendon se tarifat e larta të projektimit përbënin një mekanizëm për të siguruar miratimin e lejeve nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit. Në kallëzim përmendet edhe projekti “Sun Moon Star”, një kullë 44-katëshe në Tiranë, si shembull i mënyrës së funksionimit të kësaj skeme.
Partia Demokratike kërkon nga SPAK nisjen e hetimeve për rolin e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Deri tani nuk ka një reagim nga kryeministri Edi Rama apo nga institucionet e përmendura në kallëzim.
NJOFTIM PËR SHTYP I PD
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar z. Gazment Bardhi, ka depozituar sot në SPAK kallëzimin penal kundër Kryeministrit Edi Rama, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, lidhur me aferën “ALBANIAN FILES”.
Në kallëzimin penal të dorëzuar tashmë në SPAK, analizohet ndër të tjera se:
Në Qershor 2026, shtëpia botuese «Lars Muller Publishers», publikoi librin «The Albanian Files – Freedom and Architecture» (përkthimi në shqip «Dosjet shqiptare – Liri dhe Artitekturrë», me redaktimin e shkrimtarit Anneke Abhelakh dhe parathënie të shtetasit Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë. Libri përmban rreth 520 projekte të hartuara nga studio ndërkombëtare të artitekturës në Shqipëri, duke filluar nga mesi i viteve 2000, kur shtetasi Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë Tiranë. Megjithatë, numri i këtyre projekteve u rrit në sasi dhe volume ndërtimi pas vitit 2020, kur shtetasi Edi Rama ishte në mandatin e tij të dytë si Kryeministër i Shqipërisë.
Nga përmbajtja e këtij libri, zbardhet skema se si shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër/Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (në vijim «KKT»), përzgjidhte studiot ndërkombëtare të artitekturës, i kontaktonin, takonin dhe më pas krijonin lidhjet me investitorë apo ndërtues shqiptarë. Këta të fundit paguanin shuma të larta për projektimin dhe më pas përfitonin leje ndërtimi për ndërtimin e pallateve, kullave, hoteleve apo resorteve në Tiranë dhe zonat bregdetare të vendit.
Në kallëzim përmenden disa raste dhe projekte konkrete. Për ta ilustruar këtë veprimtari të paligjshme, me indicie të forta për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, po paraqesim disa raste që ofron vetë libri.
Konkretisht, në datën 01.05.2024, ora 22:00, artitekti Sam Chermayeff, me shtetësi amerikane, administrator i një studio artitekture me seli në Berlin dhe Nju Jork, mori një telefonatë nga kolegu i tij, Pablo Bofill, duke e njoftuar se «Edi do të të telefonojë». Më pas, ai tregon se mori një telefonatë nga shtetasja Adelajda Roka, drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, gjatë të cilës iu kërkua realizimi i dy projekteve në Tiranë, njëri prej 30 mijë metrash katrorë dhe tjetri prej 15 mijë metrash katrorë.
Disa javë më vonë, arkitekti Sam Chermayeff udhëtoi drejt Shqipërisë, ku u prit në pistën e avionit dhe u dërgua në një vilë private për t’u takuar me një grup të vogël prej tre biznesmenësh, të cilët sipas rrëfimit të tij, udhëtonin me makina luksoze dhe mbanin aksesorë të shtrenjtë (ora dhe byzylykë floriri të markave «Richard Mille», «Cartier»). Gjatë vizitës së zhvilluar në kantierin ku do të ndërtohej kulla 44 katëshe e lartë, atij iu tha se kishte dorë të lirë që të bënte çfarë të donte.
Në 31 Korrik 2024, KKT miratoi lejen e zhvillimit për projektin «Sun Moon Star», kullë 44 katëshe, e projektuar nga arkitekti Sam Chermayeff, në Rr. Asim Vokshi, pranë Bulevardit të Ri. Projekti përfshin struktura banimi dhe hotelerie, me investitor dhe zhvillues shoqërinë «Al-Point», në pronësi të Aleksandër Vasili, njëri prej tre biznesmenëve që takoi arkitekti gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ky është një prej rasteve që provon mënyrën si funksionon skema e ndërtuar korruptive nga Kryeministri Edi Rama.
Rastet e përmendura në «Albanian Files» provojnë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit në Tiranë, veçanërisht ndërtimi i kullave të larta, nuk ndiqte procedurën normale, ku një investitor paraqiste dokumentacionin teknik dhe ligjor për ndërtimin e një vepre pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, dhe në përfundim të procedurës administrative, çështja i kalonte Këshillit Kombëtar të Territorit për vendimmarrje. Në fakt, ishin shtetasit Edi Rama, Kryetar i KKT-së, i cili identifikonte, kontaktonte dhe takonte studiot e arkitekturës, të cilët më pas i lidhnin me investitorë apo biznemenë shqiptar për të vijuar procedurat e projektimit dhe marrjes së lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit. Arkitektët dhe studiot ndërkombëtare që u imponoheshin investitorëve shqiptarë, kishin tarifa shumë të larta, deri në 10-fishin e çmimeve të tregut, çka sillte më pas rritje të kostove, e për rrjedhojë rritje të çmimeve të shitjes së sipërfaqeve të ndërtimit. Nëse çmimet mesatare të projektimit variojnë nga 7-10 euro për m2, arkitektët e huaj faturojnë 60 euro/m2, duke arritur kështu në kosto projektimi nga 300 mijë deri në 2 milionë euro. Megjithatë, kjo shihet si një mënyrë e sigurtë për të përfituar lejen e zhvillimit apo ndërtimit nga AZHT-ja dhe KKT-ja.
Me interes të veçantë në përmbajtje të këtij libri, janë edhe dy projekte, të cilat janë parashikuar të ndërtohen në zona të mbrojtura përpara se të miratohej Ligji Nr. 21/2024 «Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 81/2017 «Për Zonat e Mbrojtura»». Kjo ngre dyshimin e arsyeshëm se porositësit e këtyre projekteve, të cilët kanë paguar tarifa të larta për projektimin, kishin dijeni dhe garanci se ligji për zonat e mbrojtura do të ndryshonte, duke iu mundësua pikërisht ndërtimi në këto zona. Në këtë rast, është e qartë se garanci të tilla nuk mund të jepeshin nga askush tjetër, përveçse nga shtetasi Edi Rama, duke qenë njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste (partia, që ka shumicën parlamentare) dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit (institucioni që miraton lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit në këto zona). Ky i fundit është po ashtu autori i parathënies së këtij libri, çka përbën provë të plotë të dijenisë mbi përmbajtjen e tij.
Nga të dhënat e përftuara nga libri “Albanian Files – Freedom and Architecture”, rezulton se shtetasi Edi Rama, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë publikë, biznesmenë dhe arkitektë kishin krijuar një strukturë të mirëfilltë kriminale, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal, i cili fillimisht identifikonte arkitektë apo studio arkitekturore ndërkombëtare, të cilët më pas i kontaktonin dhe takonin, duke i lidhur me biznesmenë shqiptarë, për të përgatitur projekte ndërtimi në Tiranë apo zonat bregdetare, përkundrejt tarifave shumë të larta. Kjo mënyrë operimi ishte kusht për t’u pajisur me leje zhvillimi dhe leje ndërtimi, ku shtetasit Rama dhe Roka kishin rol vendimtar, duke qenë në detyrat e Kryetarit të KKT-së dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AZHT-të.
Duke vepruar kështu, shtetasi Edi Rama ka kryer veprimtari në kundërshtim me Ligjin Nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, dhe VKM-në Nr. 508/2015 “Për Miratimin e Rregullores së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, pasi është e qartë se detyra e tyre nuk konsisonte në gjetjen e arkitektëve, kontaktimin, takimin dhe krijimin e lidhjeve të tyre me biznemenë shqiptarë, por pas paraqitjes së kërkesave për t’u pajisur me leje zhvillimi apo leje ndërtimi, AZHT-ja duhet të kryente verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, ndërsa KKTU duhet të vendoste miratimin ose jo të kërkesave. Në këtë kuptim, është e qartë se shtetasi Edi Rama ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke sjellë përfitime të padrejta për arkitektët dhe biznesmenët e përfshirë në këtë skemë, duke dëmtuar kështu interesat e ligjshme të shtetit dhe shtetasve, duke kështu në kushtet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër, është minimalisht e provuar se shtetasi Edi Rama ka kërkuar një përfitim të parregullt në vlera shumë të larta për arkitektët dhe studiot ndërkombëtare të arkitekturës nga biznesmenët, sipërmarrësit, investitorët apo ndërtuesit shqiptarë (kërkimi i përfitimit për persona të tjerë), duke i kushtëzuar me miratimin e kërkesave për t’u pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi (për të kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij), duke qenë kështu në kushtet e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Së fundmi, siç është provuar edhe nga hetimet penale të Prokurorisë së Posaçme, këto ndërtime shumëkatëshe shërbenin si një skemë pastrimi të të ardhurave që gjeneroheshin nga veprimet e paligjshme, kryesisht në formën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në këtë kuptim, biznesmenët e përfshirë ishin të interesuar për të përfituar leje ndërtimi, duke paguar edhe tarifa shumë të larta, me qëllim që të investonin të ardhurat e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta në ekonomi të ligjshme, me qëllim final pastrimin e produkteve të veprës penale. Kjo skemë pastrimi parash është mbështetur dhe ndihmuar në mënyrë aktive nga shtetasi Edi Rama, duke shfrytëzuar funksionin e tij si Kryeministër/Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, duke qenë kështu në kushtet e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, gërma “dh”, e Kodit Penal, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 248, 260, 287, 333/a dhe 25 të Kodit Penal.\



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.