Ambasadori amerikan në BE kundër “Made in Europe”: Rrezikon zhbërjen e NATO-s
Përpjekjet për të nxitur produktet “Made in Europe” në nismat e riarmatimit rrezikojnë zhbërjen e aleancës së NATO-s dhe cenimin e sigurisë kolektive.
Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në BE, Andrew Puzder, në Samitin për Mbrojtjen dhe Hapësirën, të organizuar nga Euronews.
“Kur në lojë janë jetët e njerëzve, kapacitetet dhe gatishmëria duhet të përcaktojnë zgjidhjen, jo gjeografia. Ne nuk mund t’i lejojmë vetes të krijojmë pengesa të brendshme”, tha Puzder.
Diplomati amerikan sugjeroi etiketimin “Made in NATO” si një alternativë që do t’u jepte më shumë akses kompanive amerikane të mbrojtjes, të cilat rrezikojnë të humbasin kontrata fitimprurëse nëse vizioni “Made in Europe”, i mbështetur nga Franca, realizohet.
“Jemi më të fortë kur punojmë së bashku dhe së bashku duhet t’ia dalim”, u shpreh ambasadori.
Më herët, ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, bëri një paralajmërim të zymtë, kur tha se Europa do të përballet me një “dimër të errët” për shkak të shumëfishimit të kërcënimeve hibride.
Francken nënvizoi përpara homologëve se proceset e riarmatimit dhe avancimit të mbrojtjes “duhet të ecin më shpejt”, me qëllim mbrojtjen e kontinentit të vjetër nga sulmet ajrore të Rusisë, përfshirë ato me dronë të fuqizuar me motor avioni luftarak, që udhëtojnë me 600 kilometra në orë.
“Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore, municione, prodhim më të madh dhe një bazë industriale më të gjerë. Çdo gjë duhet të ecë më shpejt”, tha Francken.
Deklaratat vijnë në një kohë kur qeveritë europiane po rrisin shpenzimet ushtarake dhe po kërkojnë rrugë për përmirësimin e bashkëpunimit mbi prokurimin, mobilizimin ushtarak dhe prodhimin industrial.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.