Amerika i kërkon Kosovës të bëhet pjesë e gazit amerikan me çdo kusht
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një thirrje të tillë e ka bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Amerika po e shtyn hapur Kosovën drejt projekteve amerikane të gazit natyror, ndërsa paralajmërimi është i qartë: nëse vonohet, Kosova rrezikon të mbetet jashtë hartës së re energjetike të Ballkanit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë që qasjen në gazin e lëngshëm natyror amerikan dhe ndërtimin e infrastrukturës së gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar. Sipas saj, Kosova vazhdon të mbështetet në termocentrale të vjetruara me linjit, ndërkohë që importi i energjisë po rëndon ekonominë dhe po e ekspozon vendin ndaj luhatjeve të tregut energjetik.
Në reagim thuhet se remontet e kapaciteteve ekzistuese, rritja e kërkesës për energji dhe pasiguria në tregjet ndërkombëtare po e bëjnë të domosdoshëm diversifikimin e burimeve energjetike.
Oda Amerikane thekson se shtetet e rajonit tashmë po lidhen me korridore të reja të gazit dhe me projekte të LNG-së, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë kësaj arkitekture të re energjetike rajonale.
“Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë”, thuhet në reagim, ku kërkohen investime në infrastrukturë, ndryshime ligjore dhe angazhim më i madh me partnerët strategjikë.
Sipas Odës Amerikane, lidhja me gazin amerikan nuk shihet vetëm si çështje energjie, por edhe si çështje strategjike dhe gjeopolitike për Kosovën. Ata vlerësojnë se qasja në gaz do të ulte varësinë nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike, do të ndihmonte integrimin e energjisë së ripërtëritshme dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive kosovare përballë rregullave gjithnjë e më të ashpra të Bashkimit Evropian për emetimet e karbonit.
Në fund, Oda Amerikane i kërkon Qeverisë “vullnet politik” dhe hapa konkretë për integrimin e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mungesa e veprimit mund ta zgjasë cenueshmërinë energjetike dhe ta kufizojë potencialin ekonomik të vendit.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka rishpërndarë editorialin e të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ku kërkohet që Kosova t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.
Prattipati ka theksuar se Kosova duhet të veprojë shpejt, pasi “mundësia po mbyllet”. Sipas saj, nëse vonohet, Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.
“Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër”, ka paralajmëruar ajo.
Diplomatja amerikane ka përmendur projektet rajonale si Korridori Vertikal i Gazit, terminali lundrues i LNG-së në Kroaci dhe gazsjellësi që lidh terminalin e Aleksandrupolisit në Greqi me Shkupin, si mundësi konkrete ku Kosova mund të përfshihet.
Ajo ka theksuar se lidhja me një projekt ekzistues do të ulte kostot dhe afatet e ndërtimit, ndërsa ka bërë të ditur se Qeveria amerikane posedon mekanizma financimi për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Prattipati ka rikujtuar edhe faturën e rëndë energjetike të Kosovës, duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, sipas të cilave vendi ka shpenzuar rreth 735 milionë euro për import të energjisë elektrike në katër vitet e fundit.
Sipas saj, centralet me gaz natyror do të ndihmonin stabilizimin e çmimeve, rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e varësisë nga fqinjët, ndërsa ka nënvizuar se prioritet i Administratës Trump mbetet ulja e varësisë së Evropës nga energjia ruse.
“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike”.
Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.
Kosova deri më tash ka mbetur jashtë sistemit të ndërlidhjes në rrjetin që sjellë gazin amerikan në rajon, por këtë mund ta bëjë duke u ndërlidhur me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.