ANALIZË: Kriza aktuale e naftës përballë Revolucionit Iranian të vitit 1979
– Lufta mes Iranit dhe aleatëve të SHBA-së e Izraelit ka shkaktuar tronditjen më të madhe të furnizimit ditor me naftë në histori, megjithëse Revolucioni Iranian i vitit 1979, mbetet kriza më e rëndë, për sa i përket humbjeve totale të prodhimit, në një periudhë më të gjatë, sipas një analize të “Reuters”.
Kjo analizë, u bazua në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), OPEC-ut dhe Departamentit Amerikan të Energjisë
Krizë energjetike ndryshe nga të tjerat
Ndryshe nga krizat e mëparshme, konflikti aktual nuk ka prekur vetëm naftën bruto, por edhe gazin natyror, karburantet e rafinuara dhe plehrat kimike.
Sipas analistëve, kjo ka nxjerrë në pah varësinë e ekonomisë globale, nga zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit dhe rolin gjithnjë e më të madh të Lindjes së Mesme, në tregjet energjetike.
Pikërisht pas krizave të naftës në vitet 1970, u krijua IEA, me qëllim koordinimin e sigurisë energjetike të vendeve të industrializuara dhe administrimin e rezervave strategjike.
Për të zbutur ndikimin e krizës aktuale, IEA-ja ka autorizuar hedhjen në treg, të një sasie rekord prej 400 milionë fuçish naftë, nga rezervat strategjike.
Goditja më e madhe e regjistruar
Sipas IEA-së, humbjet maksimale të furnizimit, gjatë konfliktit arritën në mbi 14 milionë fuçi në ditë, ose rreth 13,6% të kërkesës globale për naftë, e cila këtë vit parashikohet të jetë 103,3 milionë fuçi në ditë.
Për krahasim, gjatë embargos arabe të naftës në vitet 1973–1974, furnizimi global u ul me rreth 4,5 milionë fuçi në ditë. Gjatë Revolucionit Iranian të vitit 1979, mungesa arriti në 5,6 milionë fuçi në ditë, ndërsa gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991, tregu humbi rreth 4,3 milionë fuçi në ditë.
Konflikti ka goditur edhe tregun e gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke ndërprerë rreth 20% të prodhimit global në Katar.
Për më tepër, ndërprerja e punës në rafineritë e Gjirit Persik, ka shkaktuar mungesa të naftës dhe karburantit të avionëve, duke ndikuar në tregjet e Evropës, Azisë dhe Afrikës.
Sipas kompanisë “Argus Media”, konflikti ka nxjerrë jashtë tregut rreth 24 milionë tonë LNG nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ose rreth 5,6% të tregtisë globale vjetore të LNG-së.
“Revolucioni Iranian” mbetet më i rëndi
Edhe pse kriza aktuale ka shkaktuar goditjen më të madhe ditore, Revolucioni Iranian i vitit 1979 vazhdon të mbajë rekordin, për humbjet totale të prodhimit.
Sipas “Reuters”, deri në mesin e qershorit, konflikti aktual kishte larguar nga tregu rreth 1,5 miliardë fuçi naftë, ndërsa ndërprerjet pritet të vazhdojnë për muaj të tërë, madje për gazin natyror edhe për disa vite.
Në krahasim, Departamenti Amerikan i Energjisë vlerëson se prodhimi i Iranit, ra mesatarisht me 3,9 milionë fuçi në ditë nga viti 1978 deri në vitin 1981, duke sjellë humbje totale prej rreth 4,3 miliardë fuçish.
Vetëm gjatë viteve 1979–1980, humbjet kumulative të prodhimit iranian, llogariten në mbi 2,7 miliardë fuçi, një nivel që mbetet më i lartë, se ai i regjistruar deri tani, nga konflikti aktual.
Për krahasim, embargoja arabe e viteve 1973–1974 hoqi nga tregu rreth 530–650 milionë fuçi, ndërsa Lufta e Gjirit në vitin 1991 shkaktoi humbje prej rreth 516 milionë fuçish, të dyja dukshëm më të ulëta se kriza e tanishme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.