Zgjedhjet lokale 2015

ASHE prezanton Arben Malon në Kolonjë, Rama: Kandidati i opozitës pyjengrënës, përgjegjës i një shkatërrimi të madh

Aleanca për Shqipërinë Europiane ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Kolonjës, Arben Malo. Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij gjatë këtij prezantimi me ministren e Integrimit, Klajda Gjoshën për të cilën tha se gëzon shumë respekt dhe se fakti që është kolonjare e bën më speciale.

“Në radhë të parë, dua t’u them se jam i kënaqur që mu zgjidh një pikëpyetje që kisha. Unë kam shumë respekt dhe shumë dashuri për Klajdën që është ministrja jonë më e re. Por që pavarësisht nga mosha e saj e re është dhe një nga anëtarët e qeverisë, me te cilën krenohem, sepse bashkë me ministrin tonë të Jashtëm, kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në përmirësimin e imazhit të vendit tonë dhe në rrugën që na çoi në marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithmonë më ka mundur pyetja se çfarë ka speciale kjo grua dhe sot e mora vesh, është kolonjare dhe jo vetëm është kolonjare, por dhe është krenare që është kolonjare. Bravo i qoftë!”, tha Rama

Duke u rikthyer tek fushata, kryeministri hodhi akuza ndaj kandidatit të opozitës për këtë bashki duke e quajtur “ngrënës pyjesh”.

“Sot, ne kemi ardhur këtu, në fakt, në një bashki ku nuk ka garë dhe s’mund të ketë garë midis një kandidati që ne kemi propozuar dhe mbështetur dhe një pyjengrënësi që ka sjellë këtu SHQUP-i. Një kandidat që ka ngrënë më shumë pyje se bukë në jetën e tij dhe që është një nga përgjegjësit e një shkatërrimi të madh që i është bërë pasurisë, jo vetëm të kësaj zone, por edhe të këtij qarku, që janë pyjet e mrekullueshme te Kolonjës. Kështu që unë nuk besoj se ja vlen të diskutojmë shumë për garën, por besoj shumë se ja vlen të flasim për thellësinë e madhe që duhet të ketë fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe Arbenit. Dua që të jetë shumë e qartë për të gjithë, Arben Malo nuk është kandidat i LSI-së, është kandidat i PS-së dhe i LSI-së. Sa ç’është propozimi i LSI-së, aq është edhe mbështetja 100 përqind e Partisë Socialiste, sepse PS dhe LSI janë dy parti, por janë një forcë e vetme, janë forca që udhëheq Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe që ka barrën e një transformimi të madh, i cili ka filluar në këto 18 muaj”, tha Rama.

Sipas tij “qeveria në Tiranë i ka kthye sytë edhe nga Erseka, edhe nga Kolonja dhe ashtu siç kemi bërë në këto 18 muaj, duke financuar fillimin e një rilindje urbane, edhe këtu do të vazhdojmë për ta çuar frymën dhe erën e rilindjes në çdo cep të bashkisë së Kolonjës”.

“Unë kam shumë besim që gratë dhe vajzat në shtëpitë e demokratëve do të bëjnë punën e tyre. Do t’ia u bëjnë të qartë burrave që këto votime nuk janë për SHQUP-in. Këto votime janë për Kolonjën. Këto votime nuk janë për politikën e madhe, këto votime janë për të zgjedhur njeriun e duhur dhe për ta çuar qytetin, bashkinë dhe fshatrat së bashku në drejtimin e duhur. Këto votime janë për t’i dhënë përgjigje pyetjes së kush është njeriu i duhur dhe kush është skuadra e duhur për qytetin. Dhe kur e bën këtë pyetje, s’ka se si të shkojë mendja tek ai trungu, por të shkon mendja vetëm tek kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Arben Malo. Sepse ka një ndryshim të madh mes nesh dhe atyre. Ata duan vetëm luftë, sherr, konflikt, sharje, shpifje, baltë, rrëmujë, rrumpallë. Kurse ne duam që në këto zgjedhje, populli t’i japë mbështetje kandidatëve që ne kemi zgjedhur, në mënyrë që sëbashku me ta, ne, investimin tuaj me votë ta kthejmë në punë, punë dhe vetëm punë”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se këto 18 muaj kanë dhënë provën e pakundërshtueshme se në çdo sektor ka filluar kurimi i plagëve dhe ne jemi në drejtimin e duhur.

”Ne e dimë shumë mirë që reformat janë të dhimbshme. Por një gjë është e sigurt, që reformat japin rezultat, që masat që i shoqërojnë bëjnë sukses. Dhe që rezultati dhe suksesi nuk është qëllim në vetvete, por është që të krijojnë mundësinë që të bëjmë shumë më shumë. Nuk është qëllimi në vetvete reforma e energjisë, por është një reformë që na jep mundësinë që të mbyllim një gropë të madhe borxhesh, ku rrezikonim që të zhyteshim të gjithë, bashkë me këtë vend. Kështu mund të themi për të gjitha reformat”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button