BANGKOK – Të paktën 27 të vdekur, mbi 60 të plagosur, pas zjarrit në një bar
– Të paktën 27 persona humbën jetën dhe tetë të tjerë ndodhen në gjendje kritike, pasi një zjarr përfshiu gjatë mesnatës, një bar në lagjen e njohur Chatuchak në Bangkok, raportoi BBC.
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës dhe gjetën klientë që përpiqeshin të shpëtonin përmes hyrjes së përfshirë nga flakët.
Sipas dëshmitarëve, zjarri nisi pranë vendit ku po performonin muzikantët dhe u përhap me shpejtësi.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha që dalin nga ndërtesa, ndërsa njerëzit vrapojnë të tmerruar për të shpëtuar.
Shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim.
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, tha se kishte folur me një muzikant që po performonte në momentin kur shpërtheu zjarri.
Sipas tij, muzikanti tregoi se flakët nisën pranë panelit elektrik.
“Pas kësaj gjithçka ndodhi shumë shpejt. U dëgjuan shpërthime dhe të gjithë u përpoqën të largoheshin nga tymi dhe flakët”, tha kryeministri.
Ai shtoi se shumë persona nuk arritën të dilnin, pasi u drejtuan në pjesën e pasme të ndërtesës dhe u strehuan në tualete për t’i shpëtuar tymit.
Pikërisht aty u gjetën shumica e viktimave.
Zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash.
Bilanci paraprak është 27 viktima – nëntë burra dhe 18 gra – ndërsa mbi 60 persona po trajtohen në spital, tetë prej tyre në gjendje kritike.
Sipas hetimeve të para, shumica e viktimave dyshohet se kanë humbur jetën nga asfiksia, si pasojë e thithjes së tymit, megjithëse autoritetet theksojnë se hetimet vazhdojnë.
Lokali, i identifikuar si “Rong Beer Na Lat Phrao”, është izoluar nga policia.
Guvernatori i Bangkokut, Chatchart Sittipunt, deklaroi se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të dekorimeve të ndezshme në tavan.
Ai shtoi se tymi toksik mund të ketë bërë që shumë viktima të humbnin ndjenjat.
Sipas tij, pranë daljes emergjente u gjetën disa persona pa ndjenja dhe ekzistojnë dyshime se, tavolina ose objekte të tjera mund të kenë penguar evakuimin.
Megjithatë, ai theksoi se kjo do të konfirmohet vetëm pas hetimit zyrtar.
Ky nuk është rasti i parë i një tragjedie të tillë në Tajlandë.
Katër vjet më parë, një zjarr në një bar në jug të Bangkokut vrau 22 persona, ndërsa në vitin 2009 një zjarr në një klub nate në kryeqytet, shkaktoi vdekjen e 66 personave. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.