Rajoni

BE-ja i kërkon Serbisë përmirësimin e procesit zgjedhor

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë të martën se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi, thanë në një deklaratë të përbashkët se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.

Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.

Sipas kësaj organizate këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për konkurrencë”. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina e tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.

Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë të martën se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.

Disa mijëra veta protestuan të hënën me pretendimet për mashtrim në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe më shumë protesta janë paralajmëruar për sot.

Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit Vuçiç doli fituese në zgjedhje, por kundërshtarët e saj kryesorë nga aleanca “Serbia kundër dhunës”, thonë se atyre iu grabit fitorja në Beograd.

Dy nga udhëheqësit e opozitës filluan të hënën një grevë urie, ndërsa thanë se nuk do të njohin rezultatet e zgjedhjeve në Beograd dhe se ato duhet të përsëriten. Pushteti hodhi poshtë pretendimet e tyre.

Protestues të rinj hodhën domate e letra higjienike mbi ndërtesën e Komisionit të zgjedhjeve gjatë protestës së të hënës. Policia tha se arrestoi dy prej tyre për sjellje të dhunshme.

Zyrtarët e lartë evropianë thanë të martën se presin që raportet e besueshme rreth parregullsive të trajtohen në mënyrë transparente nga autoritetet përgjegjëse përfshirë akuzat lidhur me zgjedhjet lokale në Beograd.

Të hënën vonë ministria e Jashtme gjermane duke iu referuar gjetjeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsitë në zgjedhjet serbe tha se “kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”.

Kremlini ndërkaq e përgëzoi presidentin serb Vuçiç për fitoren duke e quajtur Serbinë një komb “vëllazëror” dhe “miqësor”.

Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button