BERLIN – Merz: Lufta në Ukrainë po hyn në periudhën më vendimtare
BERLIN, 14shtator / /ATSH -AA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz u zotua se do të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke paralajmëruar se lufta ka gjasa të hyjë në javët ose muajt më vendimtarë.
Duke folur në një konferencë për media në Finlandë pas një samiti të nivelit të lartë evropian për Arktikun, Merz tha se Rusia jo vetëm që po zhvillon luftë kundër Ukrainës, por po shënjestron edhe vendet evropiane përmes sulmeve hibride dhe operacioneve të ndikimit.
“Me shumë gjasa po shohim momentet më vendimtare, ndoshta javët ose muajt më vendimtarë, përpara nesh në mbrojtje të lirisë dhe paqes së kontinentit tonë”, u tha Merz gazetarëve kur u pyet nëse qeveritë evropiane mund të vazhdojnë mbështetjen për Kievin, ndërsa partitë që kundërshtojnë ndihmën ndaj Ukrainës po fitojnë terren.
Ai tha se është i vetëdijshëm për argumentet kundër vazhdimit të ndihmës, duke vënë në dukje se debati nuk është i kufizuar vetëm në Gjermani, por po zhvillohet edhe në gjithë Bashkimin Evropian. Megjithatë, ai këmbënguli se mbështetja është e nevojshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë e vetë Evropës, dhe se qeveritë duhet të qëndrojnë të vendosura deri në përfundimin e luftës.
“Do të bëj gjithçka që mundem për të ruajtur mbështetjen tonë dhe për t’i bindur njerëzit se është në interesin tonë ta bëjmë këtë”, tha Merz.
“Nëse Rusia ia del mbanë, kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme dhe të paprecedenta për të gjithë ne, përfshirë Gjermaninë. Dhe kjo është arsyeja pse qëndroj këtu shumë i vendosur, shumë i qartë dhe nuk jam i gatshëm të tërhiqem as edhe një centimetër”, shtoi Merz.
“Ky është tani detyrimi ynë historik për të bërë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar këtë vend të ruajë paqen dhe lirinë në Evropë”, shtoi ai.
Kundërshtimi ndaj dërgimit të armëve në Ukrainë dhe ofrimit të ndihmës financiare në shkallë të gjerë është intensifikuar në disa vende evropiane gjatë muajve të fundit. Në Gjermani, partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila kundërshton dërgesat e armëve dhe financimin e madh për Kievin, shënoi rezultat rekord në zgjedhjet rajonale të 6 shtatorit në Saksoni-Anhalt, duke fituar 43,8 për qind të votave.
Qëndrime të ngjashme kundër ndihmës për Ukrainën kanë fituar terren edhe në debatet politike kryesore në Francë, Sllovaki, Çeki dhe Hungari.
Gjermania ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë të Ukrainës në Evropë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në vitin 2022.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.