Bilanci i hidhur i investimeve strategjike
Pas dhjetë vitesh nga zbatimi i ligjit për investimet strategjike, bilanci tregon se shteti ka angazhuar më shumë pasuri dhe fonde sesa përfitimet e matshme që kanë marrë ekonomia dhe qytetarët. Rreth 55 subjekte kanë marrë status strategjik, me vlerë të deklaruar investimesh prej 8,83 miliardë eurosh dhe 46.566 vende pune të premtuara. Turizmi përfaqëson rreth 70% të projekteve dhe 6,31 miliardë euro investime të deklaruara, por pjesa më e madhe e tyre janë zhvillime rezidenciale me vila dhe apartamente, teksa shumë projekte kanë dështuar, kanë vonesa në zbatim ose kanë devijuar nga projektet fillestare. Vetëm në Vlorë, shteti ka vënë në dispozicion rreth 1.000 hektarë tokë publike, me vlerë tregu të llogaritur rreth 3 miliardë euro, si dhe rreth 1,1 miliardë euro investime infrastrukturore. Përballë një kostoje publike që tejkalon 4 miliardë euro, investimet e premtuara në këtë qark nga strategjikët arrijnë në rreth 2,4 miliardë euro dhe 7.194 vende pune. Në vitin 2025, Vlora rezultoi qarku me treguesit më të dobët të punësimit në rang kombëtar. Investimet strategjike, në skaner
Blerina Hoxha
Dhjetë vjet pas fillimit të zbatimit të ligjit për investimet strategjike, (që nisi në vitin 2016), të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e aseteve publike (tokës) dhe e shpenzimeve buxhetore për infrastrukturën që mbështet drejtpërdrejt apo tërthorazi këto investime, është shumë më e lartë se përfitimet që ekonomia në tërësi dhe rajonet po marrin prej tyre, pa përfshirë dëmin në mjedis dhe koston e mundësive të humbura në tokat më të çmuara të vendit.
Nga viti 2016 deri në vitin 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike u dha rreth 55 subjekteve statusin e investitorit strategjik, nga të cilat 27 ushtrojnë aktivitet në fushën e turizmit, shumica në Qarkun e Vlorës.
Ky qark është shembulli më tipik se si qindra hektarë tokë shtetërore dhe miliarda euro nga buxheti u vunë në dispozicion të investitorëve strategjikë në turizëm. Shumë prej këtyre investimeve, në vend të shërbimeve të mirëfillta turistike, rezultuan në vila luksi, të cilat shpesh janë cilësuar si objekte për pastrimin e parave, etj.
Sipas të dhënave të përpunuara nga vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, për zonën nga Vlora në Ksamil, KIS-i ka miratuar që nga viti 2016 të paktën 20 vendime për projekte turistike me status strategjik, me vlerë të premtuar investimesh që u afrohet 2.4 miliardë eurove dhe 7200 vende pune të pritshme.
Për të mbështetur zhvillimin e këtyre investimeve, qeveria ka kanalizuar një pjesë të madhe të investimeve publike në Qarkun e Vlorës. Të dhënat zyrtare nga Thesari i Ministrisë së Financave mbi investimet publike tregojnë se, gjatë periudhës 2016–2026, Vlora ishte ndër qarqet më të financuara.
Rreth 143 miliardë lekë investime publike të matshme në dhjetë vjet përfshijnë Tunelin e Llogorasë, bypass-in e Vlorës, rrugën Palasë–Dhërmi, shëtitoret, linjat e energjisë dhe ujësjellës-kanalizimet e zonave turistike.
Pothuajse çdo vit që nga viti 2016, Vlora mori financime rreth dy herë më të larta se mesatarja kombëtare, por, siç tregojnë të dhënat zyrtare, qarku mbetet me treguesit më të përkeqësuar të punësimit, teksa pesha e Vlorës në totalin e ndërmarrjeve në shkallë vendi pësoi rënie në 2025, në raport me 2015.
Neritan Sejamini, analist i çështjeve ekonomike, tha se i gjithë modeli i investimeve strategjike, si në kuadrin ligjor, ashtu edhe gjatë zbatimit, ishte një instrument klientelist për tjetërsimin e pasurive dhe fondeve publike në favor të klientëve të zakonshëm të qeverisë, duke shmangur ligjet e prokurimit publik, të ankandit, të koncesioneve dhe një sërë ligjesh të tjera që rregullojnë vendimmarrjen publike.
“Tani kemi plot prova për qëllimin e vërtetë të investimeve strategjike dhe nuk ka se si ekonomia të ketë përfitime, por ndërkohë kostot janë të pamatshme, pasi transferohen në breza”, tha ai.
“New Born”, investimi i parë strategjik
Në korrik të vitit 2016, një sipërfaqe prej 187 mijë metrash katrorë në Hamallaj u bë projekti i parë që mori statusin e investimit strategjik në Shqipëri. “New Born”, i njohur sot si “Vala Mar Residences”, u miratua si një kompleks turistik që parashikonte 250 vende pune gjatë ndërtimit dhe 80 të punësuar në fazën e operimit.
Projekti rezultoi në një lagje private me vila, ndërsa pronat u shitën tek individët.
Statusi strategjik iu dha projektit në vitin 2016, për një periudhë katërvjeçare. Përveç procedurave të përshpejtuara administrative, projekti përfitoi asistencë për furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si dhe të drejtën e përdorimit të rreth 70 mijë metrave katrorë të bregut të detit. Përdorimi i vijës bregdetare u miratua për një afat 20-vjeçar.
Zhvillimi i investimit të parë strategjik u përqendrua vetëm te njësitë rezidenciale të destinuara për shitje. Sipas të dhënave të publikuara për kompleksin, sipërfaqja e ndërtimit arrin në rreth 66,500 metra katrorë dhe përbëhet kryesisht nga vila dhe apartamente me tipologji të ndryshme.
Ky model u bë më i dukshëm me projektin pasues “Vala Mar II”. Komiteti i Investimeve Strategjike e refuzoi propozimin, duke argumentuar se projekti nuk përmbante struktura akomoduese në përputhje me kërkesat e legjislacionit për turizmin. Refuzimi nxori në pah boshllëkun që kishte shoqëruar projektet e para, marrjen e statusit të investimit turistik pa një detyrim të qartë për ndërtimin e hotelit.
Kuadri ligjor u shtrëngua më pas. Ndryshimet e miratuara në vitin 2017 përcaktuan statusin e posaçëm për strukturat akomoduese me katër ose pesë yje dhe rritën kriteret për vlerën e investimit.
Sot, për të përfituar këtë status, investimi duhet të jetë 50 milionë euro për statusin e veçantë. Struktura duhet gjithashtu të menaxhohet nga një operator ose markë hoteliere e njohur ndërkombëtarisht.
Por, edhe pas këtyre ndryshimeve, tregu ka zhvilluar një model tjetër. Projektet ndahen në disa faza. Në fillim ndërtohen vilat dhe apartamentet, të cilat mund të shiten që në fazën e ndërtimit. Paratë e blerësve sigurojnë likuiditet të menjëhershëm dhe financojnë vijimin e kompleksit, duke reduktuar kapitalin që duhet të vendosë vetë zhvilluesi.
Hoteli kërkon një investim të madh fillestar, personel, menaxhim profesional dhe disa vite për të rikuperuar kapitalin. Për këtë arsye, ai vendoset zakonisht në fund të masterplanit, duke i shkaktuar humbje në kohë zinxhirit që lidhet me turizmin.
Sot, vija bregdetare po mbushet me komplekse vilash dhe apartamentesh që funksionojnë kryesisht si prona të dyta, ndërsa strukturat hoteliere janë të rralla dhe të pakta dhe realizohen shumë vonë.
Investimet strategjike, në skaner
Qëllimi kryesor i ligjit për investimet strategjike, i cili u miratua në maj të vitit 2015, afati i të cilit u shty edhe 6 herë të tjera, ishte nxitja e zhvillimit ekonomik përmes tërheqjes së investimeve të mëdha, duke u ofruar atyre procedura të përshpejtuara dhe lehtësi administrative. Në këmbim, ky mekanizëm synonte rritjen e punësimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe ndikimin pozitiv në rritjen e qëndrueshme të vendit.
Ligji për Investimet Strategjike kërkon që investitori të realizojë një vlerë prej 5 milionë eurosh (procedurë e asistuar) ose 30 milionë eurosh (procedurë e veçantë) për të përfituar lehtësi shtetërore. Paralelisht, investitori duhet të krijojë minimalisht 80 ose 220 vende të reja pune, në varësi të kategorisë së procedurës së ndjekur.
Bazuar në ligj, shteti garanton aksesin në infrastrukturë dhe mbështetje administrative, ndërsa investitori detyrohet të respektojë afatet dhe standardet mjedisore, si dhe të përmbushë treguesit e punësimit.
Lista e investimeve që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik tregon orientim të fortë të politikës së mbështetjes shtetërore drejt turizmit, zhvillimit të pronave dhe projekteve të mëdha bregdetare.
Industria, bujqësia dhe energjia zënë një pjesë më të kufizuar në numrin e projekteve, megjithëse disa prej tyre kanë ndikim më të madh në punësim ose kërkojnë kapital shumë më të lartë.
Që nga viti 2016, të paktën 55 subjekte morën statusin e investitorit strategjik; për arsye të ndryshme, disa prej tyre dështuan ta zhvillonin projektin. Të gjitha vendimet që shpallën investitorët strategjikë kanë deklaruar një vlerë të përgjithshme investimi rreth 8.83 miliardë euro dhe 46,566 vende pune.
Turizmi dominon në portofolin e investimeve strategjike
Turizmi, hoteleria, resortet, marinat dhe zhvillimi i pronave turistike përbëjnë pjesën dërrmuese të projekteve. Në këtë kategori përfshihen 39 nga 55 projektet strategjike, ose rreth 70% e portofolit.
Shuma nominale e investimeve turistike dhe të pasurive të paluajtshme arrin në rreth 6.31 miliardë, afërsisht 71% e vlerës totale të investimeve strategjike. Këto projekte parashikojnë rreth 24,257 vende pune, ose 52% të punësimit të përgjithshëm të deklaruar.
Pesha e turizmit lidhet kryesisht me projektet e mëdha bregdetare, si “Durrës Yachts & Marina”, resorti turistik në ishullin e Sazanit, “Marina Hills”, “Lëkurësi”, “Green Coast”, “Marina di Valona”, “Delta Falaise”, “San Pietro” dhe “Kep Merli Eco Resort”.
Statusi strategjik është përdorur në masë të madhe për projekte që ndërthurin hotelerinë me ndërtimin e rezidencave, vilave, marinave dhe zonave të mëdha të zhvillimit. Në të shumtën e rasteve nuk bëhet fjalë vetëm për investime në kapacitete akomoduese, por për projekte komplekse të zhvillimit të pronës.
Megjithëse turizmi është sektori me numrin më të madh të vendeve të punës, raporti mes kapitalit dhe punësimit është dukshëm më i lartë se në industri, tregti apo bujqësi.
Për projektet turistike, mesatarisht investohen 257 mijë euro për çdo vend pune të planifikuar. Ky raport ndikohet ndjeshëm nga projektet me vlera të mëdha investimi dhe numër relativisht të kufizuar punonjësish, si “Lëkurësi”, projekti në Sazan, “Marina Hills” dhe “Omnix Albania”.
Zonat ekonomike dhe industria krijojnë më shumë punësim
Industria, prodhimi dhe zonat e zhvillimit ekonomik përfaqësohen nga gjashtë projekte në portofolin e investimeve strategjike, por ndikimi i tyre i deklaruar në punësim është më i madh, edhe pse pjesa më e madhe e këtyre projekteve dështuan të realizohen.
Kjo kategori përfshin zonën TEDA të Vlorës, TEDA Tiranë, TEDA Prrenjas, “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park”, fabrikën e sistemeve elektrike për automjete “Jura” dhe “Albpanel”.
Së bashku, këto projekte parashikojnë rreth 16,916 vende pune, ose më shumë se 36% të punësimit të përgjithshëm të listuar. Vlera e investimeve të raportuara arrin në rreth 342 milionë euro, pa përfshirë TEDA Tiranë.
Kjo kategori ka raportin më të ulët ndërmjet investimit dhe vendeve të punës. Investimi mesatar është rreth 28,700 euro për çdo vend pune.
Fabrika e pjesëve automotive “Jura” paraqitet si projekt me intensitet të lartë punësimi, me 516 vende pune dhe një investim prej 6.46 milionë eurosh, ose rreth 12,500 euro për vend pune.
“Vertigo Free Zone” parashikon 500 vende pune kundrejt një investimi prej 15.66 milionë eurosh, ose rreth 31,300 euro për çdo vend pune.
Të dhënat tregojnë se zonat ekonomike dhe investimet prodhuese kanë potencial më të madh punësimi në raport me kapitalin e angazhuar. Megjithatë, një pjesë e madhe e vendeve të punës mbetet e lidhur me objektiva të deklaruara dhe jo domosdoshmërisht me punësimin e realizuar.
Energjia, shumë kapital dhe pak punësim i drejtpërdrejtë
Në energji identifikohen katër projekte në listën e investimeve strategjike, me vlerë investimi prej rreth 1.92 miliardë eurosh. Kjo e bën energjinë sektorin e dytë për nga vlera e kapitalit, pas turizmit.
Projektet kryesore që morën statusin strategjik janë parku diellor 190 MW dhe parku me erë 636 MW në Tropojë, me një investim të deklaruar prej 1.2 miliardë eurosh, “Gas Power Plant Korça” me 349.7 milionë euro, “Biopower Green Energy” me 244 milionë euro dhe “Kirac Green Energy”, rreth 130 milionë euro.
Për projektin e Tropojës nuk është deklaruar numri i vendeve të punës. Tre projektet e tjera parashikojnë së bashku vetëm 597 vende pune.
Për tre projektet energjetike, që kanë të dhëna të plota, rezulton mesatarisht rreth 1.21 milionë euro investim për çdo vend pune. Ky është raporti më i lartë ndërmjet sektorëve dhe pasqyron natyrën intensive në kapital të prodhimit të energjisë.
“Gas Power Plant Korça” raportoi një investim prej 349.7 milionë euro dhe vetëm 123 vende pune, ose rreth 2.8 milionë euro për një vend pune. “Kirac Green Energy” arrin në rreth 1.05 milionë euro për vend pune, ndërsa “Biopower Green Energy” në rreth 697 mijë euro për një të punësuar.
Këto projekte mund të kishin rëndësi strategjike për kapacitetet energjetike, sigurinë e furnizimit ose diversifikimin e burimeve, por ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në punësim është i kufizuar.
Bujqësia dhe agroturizmi, me efikasitet më të lartë punësimi
Bujqësia dhe agroturizmi përfaqësohen nga pesë projekte në listën e investimeve strategjike me investime të deklaruara prej rreth 42.9 milionë eurosh dhe 796 vende pune.
Në këtë grup përfshihen ndërtimi i vreshtit, kantinës dhe agroturizmit, projekti “Zagroturizëm”, kompleksi i turizmit rural në Lajthizë, plantacioni me shegë, goji berry dhe avokado, si dhe “Agrocon Albania”.
Mesatarisht, këto projekte kërkojnë rreth 53,900 euro investim për çdo vend pune. Raporti është dukshëm më i ulët se në turizmin bregdetar dhe në energji.
Projekti i “plantacionit me shegë, goji berry dhe avokado” paraqet një nga raportet më të favorshme, me 6.63 milionë investim dhe 365 vende pune, ose rreth 18,200 euro për vend pune.
Megjithatë, pesha e bujqësisë në portofolin e përgjithshëm të investimeve strategjike mbetet shumë e ulët. Ajo përfaqëson më pak se 1% të vlerës nominale të investimeve dhe vetëm rreth 1.7% të vendeve të punës.
Vlora kryeson sipas numrit të projekteve
Sipas vendndodhjeve që mund të identifikohen nga emërtimet dhe të dhënat e tabelës, Qarku i Vlorës ka përqendrimin më të madh të investimeve strategjike.
Në Qarkun e Vlorës identifikohen të paktën 24 projekte, ose rreth 40% e projekteve totale, prej të cilave 20 janë në turizëm.
Në këtë qark përfshihen investimi në ishullin e Sazanit, TEDA Vlorë, “Lëkurësi”, “Marina di Valona”, “Green Coast”, “Pashaliman Laguna Eco Resort”, “Kep Merli”, “Manastir Resort”, “Dreamades Luxury Suites” dhe disa projekte të tjera turistike.
Vlora nuk kryeson vetëm për nga numri i projekteve, por paraqet edhe një kombinim mes investimeve turistike dhe projekteve që premtojnë punësim masiv. Megjithatë, pjesa më e madhe e projekteve mbetet e lidhur me bregdetin dhe zhvillimin e pronës.
Projekti TEDA Vlorë, një park industrial, parashikon ndikim të madh në punësimin e qarkut, me 10 mijë vende pune të deklaruara. Pa këtë projekt, ndikimi i investimeve turistike në punësim do të ishte shumë më i kufizuar.
Durrësi mbështetet te një megaprojekt
Në Qarkun e Durrësit identifikohen katër projekte me rreth 2.25 miliardë euro investime strategjike dhe 13,300 vende pune.
Pesha e Durrësit lidhet pothuajse tërësisht me projektin “Durrës Yachts & Marina”, për të cilin deklarohet një investim prej rreth 2.08 miliardë euro dhe 12 mijë vende pune.
Në Durrës përfshihen gjithashtu “San Pietro” dhe “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park”.
Ndryshe nga Vlora, ku investimet janë të shpërndara mes një numri më të madh projektesh, portofoli i Durrësit është shumë i përqendruar. Vetëm projekti i marinës përbën rreth 93% të vlerës së investimeve të identifikuara në qark dhe 90% të vendeve të punës.
Tirana, më pak kapital i raportuar, por punësim i lartë
Në Tiranë identifikohen tre projekte TEDA Tiranë, “Tirana City Center”, i cili konsiderohet i dështuar dhe “Dajti Express Resort”.
Këto projekte parashikojnë së bashku 6,584 vende pune. Vetëm TEDA Tiranë parashikon 5 mijë vende pune, ndërsa “Tirana City Center”, 1,500. Kjo e bën Tiranën qarkun e tretë për nga punësimi i deklaruar, pas Vlorës dhe Durrësit, pavarësisht numrit të kufizuar të projekteve. “Tirana City Center” ka dështuar të zhvillohet.
Korça dhe Kukësi dominohen nga energjia
Në Korçë identifikohen leje për projekte me investime prej rreth 367.8 milionë euro dhe vetëm 217 vende pune. Pjesa kryesore i përket “Gas Power Plant Korça”, ndërsa projekti tjetër është “Green House Korça Resort”.
Në Kukës, investimi kryesor është parku diellor dhe me erë në Tropojë, me vlerë 1.2 miliardë euro. Për këtë projekt nuk është deklaruar punësimi, ndaj ndikimi i tij në tregun lokal nuk është i përcaktuar.
Në Elbasan identifikohet TEDA Prrenjas, me një investim prej 205 milionë dollarësh dhe 600 vende pune. Në Shkodër identifikohen dy projekte, me 25.1 milionë euro investime dhe 290 vende pune, ndërsa në Gjirokastër, projekti “Gerhoti Village” ka një investim prej 60 milionë eurosh.
Tre megaprojekte mbajnë mbi gjysmën e investimeve
Lejet për investimet strategjike karakterizohen nga një përqendrim shumë i lartë financiar.
Vetëm tre projekte kanë një vlerë më të madhe se 500 milionë euro, “Durrës Yachts & Marina”, resorti në ishullin e Sazanit dhe parku diellor e me erë në Tropojë. Së bashku, ato kanë një vlerë nominale prej rreth 4.68 miliardë eurosh, ose 53% të shumës së përgjithshme të investimeve strategjike.
Në anën tjetër, 10 projekte kanë vlerë më të ulët se 10 milionë euro. Ato përfaqësojnë vetëm rreth 58.7 milionë euro investime, por parashikojnë 1,658 vende pune.
Pesëmbëdhjetë projekte kanë investime nga 10 deri në 50 milionë euro, me 4,065 vende pune. Trembëdhjetë projekte janë në intervalin 50-100 milionë euro dhe parashikojnë 4,044 vende pune.

LEXONI EDHE:
Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë
Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike
Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia
7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar
Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.