BOTËRORI 2026 – Haaland rreziku i përhershëm i anglezëve
MIAMI, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Anglia e Harry Kane, me vendosmërinë e saj dhe mbrojtjen ndonjëherë të brishtë, do të përballet me ”makinën e golave” të Norvegjisë, Erling Haaland, në çerekfinalen e së shtunës, gjithmonë i gatshëm të shfrytëzojë çdo mundësi.
Tre Luanët, me yjet e tyre në çdo nivel, janë favoritë për të arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026, veçanërisht pasi fituan Betejën e Azteca-s, në një ndeshje kundër Meksikës (3-2) që do të hyjë në historinë e turneut.
Djemtë e Thomas Tuchel u rezistuan sulmeve meksikane në pjesën e dytë, duke luajtur me 10 lojtarë, dhe siguruan një fitore që ka të ngjarë të mbetet një nga më të mëdhatë e Anglisë në Kupën e Botës, të paktën në epokën moderne.
Pasi humbi dy finalet e fundit të Kampionatit Evropian dhe arriti në gjysmëfinale dhe çerekfinale të dy Kupave të Botës së fundit, kjo gjeneratë nuk ka qenë kurrë më afër se çdo tjetër për t’i dhënë fund ”thatësirës” në Kupën e Botës që nga viti 1966.
“Kemi qenë në këtë pozicion disa herë më parë”, tha anësori anglez Bukayo Saka “por skuadra më e mirë në atë ditë do të jetë ajo që fiton. E dimë këtë dhe kjo është ajo në të cilën jemi përqendruar”.
Kjo garë në Shtetet e Bashkuara u bë e mundur falë Jude Bellingham dhe Harry Kane, po aq thelbësorë për përparimin e Anglisë sa Haaland për Norvegjinë.
Mesfushori i ”Real Madridit” dhe sulmuesi i ”Bayern Munich” kanë shënuar 10 nga 11 golat e ekipit të tyre deri më tani.
Por, problemet e Anglisë qëndrojnë në anën tjetër të fushës dhe përkeqësohen nga pezullimi prej dy ndeshjesh i Jarell Quansah për kartonin e tij të kuq në raundin e 1/16.
Një mbrojtës i majtë, Quansah kishte zëvendësuar në pozicionin e mbrojtësit të djathtë në mungesë të Reece James, titullarit të pritur i cili është zhgënjyer përsëri nga trupi i tij i brishtë pas dy ndeshjeve të para të Kupës së Botës.
I munguar në seancën stërvitore të ekipit të së mërkurës, lojtari i Chelseat është shumë i dyshimtë, ashtu si Declan Rice dhe Marc Guehi, të cilët gjithashtu nuk janë në stërvitje.
Edhe një herë, Thomas Tuchel mund të detyrohet të riorganizojë mbrojtjen e tij, siç ka bërë disa herë gjatë turneut për shkak të mungesës së dukshme të lojtarëve në atë zonë.
Haaland, një lojtar i qetë dhe i përqendruar që di të jetë diskret dhe pastaj efektiv dhe i qetë kur është e nevojshme, padyshim që do të jetë kërcënimi kryesor i Anglisë në çerekfinale, e cila do të luhet në nxehtësi dhe lagështi të madhe.
Dobësitë e tyre mbrojtëse do të testohen rëndë nga sulmuesi bjond shtatlartë, i cili tronditi Brazilin në raundin e 1/16 dhe tashmë ka shtatë gola në katër paraqitjet e tij të para në Kupën e Botës.
“Sigurisht, nëse mund ta mbajmë të qetë, ky do të jetë një faktor i madh”, pranoi mbrojtësi i majtë Nico O’Reilly të enjten, në lidhje me shokun e tij të ekipit në ”Manchester City”.
“Erling është i rrezikshëm në zonë, ai është një kërcënim i vërtetë, por ata duhet t’ia çojnë topin atij së pari”, shtoi ai me besim.
Në Kupën e parë të Botës pas 28 viteve, Norvegjia, ky vend me pak më shumë se pesë milionë banorë, i ka tejkaluar shumë pritjet.
Ajo ka arritur në këtë fazë të garës për herë të parë në historinë e saj.
“Të luanim dhe të mposhtnim Brazilin ishte çmenduri për ne norvegjezët dhe pastaj, të luanim kundër Anglisë, në çerekfinale është e pabesueshme. Nëse shikoni skenat në Norvegji, nuk është Norvegjia e zakonshme”, theksoi Haaland./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.