Çeku takohet me drejtuesit e arsimit të lartë, diskutojnë për riakreditimin
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim drejtuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe përfaqësuesen e Konferencës së Rektorëve, me të cilët ka diskutuar për proceset e riakreditimit dhe Strategjinë e re të Arsimit 2035+.
Në takim, krahas ministrit Çeku, morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Naim Gashi, kryetari i KShC-së, Avni Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKA-së, Arianit Krasniqi, dhe përfaqësuesja e Konferencës së Rektorëve, prorektorja e Universitetit “Haxhi Zeka”, Alma Shehu.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjatë takimit palët u pajtuan që proceset e riakreditimit institucional dhe të programeve të studimit të jenë në harmoni me Strategjinë e re të Arsimit 2035+, e cila aktualisht është në proces të hartimit.
“Strategjia e re synon që zhvillimi dhe ristrukturimi i arsimit të lartë t’u përgjigjen drejtpërdrejt prioriteteve zhvillimore të vendit dhe nevojave të tregut të punës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet ministrisë, AKA-së dhe universiteteve, për të siguruar një sistem të arsimit të lartë cilësor, konkurrues dhe të integruar në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.