Dačić: Nuk e di pse policia nuk reagoi ndaj sulmit ndaj ekipit të N1-it në Beograd
Ministri i Policisë në detyrë, Ivica Dačić, deklaroi sot se nuk e di pse policia nuk doli në terren pas thirrjes së ekipit të televizionit N1, i cili u sulmua në Beograd para një ndërtese ku dyshohet se figurojnë më shumë votues të regjistruar sesa banorë, siç njofton Danas-i.
Në përgjigjen e shkurtër për gazetarët, Dačić u kufizua, sipas N1-it, me fjalët: “Të gjitha çka keni në lidhje me policinë, drejtojuni policisë”, pa dhënë asnjë shpjegim për mungesën e reagimit të efektivëve pas thirrjes së ekipit gazetaresk.
Ngjarja ndodh në një klimë gjithnjë e më të tensionuar për gazetarët në Serbi gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Vetëm dy ditë më parë, rrjetet ANEM dhe NUNS dënuan kërcënimet ndaj gazetarit të N1-it, Mladen Savatoviç, i cili u kërcënua me dhunë fizike teksa raportonte para administratës së qytetit të Beogradit — një ngjarje për të cilën gazeta jonë ka raportuar.
Presioni ndaj mediave të pavarura është dokumentuar edhe nga shoqatat e gazetarëve: ekipet e N1-it janë penguar vazhdimisht të raportojnë nga hapësira publike, ndërsa zyrtarët publikë refuzojnë prej vitesh të dalin në këtë televizion, siç ka raportuar Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.