Deputetja Evis Kushi: Protesta nuk mund të shndërrohet në një alibi që justifikon fyerjet, linçimet publike, bullizimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj personave që mendojnë ndryshe
Sekretarja e Gruas në Partinë Socialiste, njëherësh edhe deputete e kësaj force politike, Evis Kushi, ka shprehur sot një shqetësim të mprehtë lidhur me përshkallëzimin e gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike, mediatike dhe në rrjetet sociale. Përmes një reagimi zyrtar, Kushi evidentoi se ky fenomen po drejtohet në mënyrë sistematike ndaj personave publikë, deputetëve, kundërshtarëve politikë dhe ndaj çdo individi që shfaq qëndrime të ndryshme nga ato të protestuesve.
Deputetja socialiste nënvizoi se ushtrimi i protestës përbën një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta dhe një mekanizëm jetik për funksionimin e demokracisë në vend, duke vlerësuar faktin se sot qytetarët nuk kanë frikë ta ushtrojnë atë.
Pavarësisht legjitimitetit të tubimeve dhe të drejtës për të kërkuar llogari nga strukturat shtetërore, Kushi deklaroi se liria e tubimit nuk mund të shërbejë si mbulesë për sjellje denigruese.
“Është po aq e rëndësishme të kuptojmë që protesta nuk mund të shndërrohet në një alibi që justifikon të gjitha fyerjet, mallkimet, linçimet publike, bullizimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj kujtdo që nuk bie dakord me protestuesit, që gjykon ndryshe dhe vepron ndryshe. Kur debati politik zëvendësohet nga urrejtja, atëherë jo vetëm që humbet demokracia, por dobësohet edhe vetë shoqëria”, u shpreh ajo.
Sipas saj, degradimi i komunikimit publik kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe rritje të përgjegjësisë nga të gjithë aktorët shoqërorë, duke filluar nga klasa politike, përfaqësuesit e mediave, aktivistët e shoqërisë civile e deri te përdoruesit e thjeshtë të rrjeteve sociale.
Në analizën e saj, Kushi vuri në dukje se mbrojtja e normave elementare të komunikimit dhe respektimi i oponentit janë tregues të një kulture politike të qytetëruar, ndërsa dehumanizimi i tjetrit nuk mund të konceptohet si mjet demokratik apo patriotik.
“Nuk duhet të pranojmë që klima politike të helmohet deri në pikën ku fyerja konsiderohet argument dhe urrejtja paraqitet si kurajo. Shqipëria meriton një kulturë politike dhe shoqërore më të qytetëruar, ku njerëzit gjykohen për veprat dhe qëndrimet e tyre, por jo të sulmohen për t’u poshtëruar”, nënvizoi Kushi.
Në mbyllje të reagimit të saj, deputetja apeloi për një ndryshim të qasjes në diskursin publik, duke vendosur theksin te nevoja për më shumë argumente dhe forcim të dinjitetit të fjalës.
“Sepse demokracia nuk matet vetëm nga liria për të folur, por edhe nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë liri. Shqipërisë i duhet më shumë argument dhe dialog, por shumë më pak urrejtje, sharje dhe përçarje. Sepse respekti për mendimin ndryshe është shenjë force, jo dobësie. Dhe demokracia mbrohet dhe forcohet çdo ditë jo vetëm duke ngritur zërin, por mbi të gjitha duke ruajtur dinjitetin e fjalës”, përfundoi Kushi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.