E mori në huazim nga Partizani, Dinamo kërkon të mbajë Fadairon edhe në kampionat
Dinamo është e impenjuar në Conference League, ku ka shkuar deri në Play-off dhe të enjten luan sfidën e radhës kundër qipriotëve të Pafos. Blutë janë një hap larg fazës së grupeve, që do të ishte një arritje e madhe, por kundërshtari këtë herë është shumë i fortë dhe me eksperiencë.
Kryeqytetasit gjatë verës kanë bërë merkato të mirë në hyrje, ndërkohë që vendosën të prforcoheshin edhe me dy huazime. Fabian Përndreca nga Bylisi dhe David Fadairo nga Partizani veshën fanellën blu dhe në ndeshjet e deritanishme europiane kanë qenë protagonistë me nga një gol secili.
RTSH Sport mëson se drejtuesit e klubit blu duan t’i mbajnë më gjatë këta dy lojtarë, jo vetëm për Europën, por edhe në kampionat. Për Përndrecën është ndoshta më e lehtë, por te Dinamo po bëjnë përpjekje që të mbajnë edhe Fadairon.
Nigeriani luan në pozicionin e sulmuesit të djathtë, ku më parë është aktivizuar portugezi Nani, që nuk është bashkuar me skuadrën e trajnerit Daja që pas mbylljes së sezonit të shkuar. Tani mbetet për t’u parë, nëse Partizani do të pranojë që 25-vjeçari të vazhdojë me Dinamon, apo do të kthehet në “bazë”.
Fadairo sezonin e kaluar luajti edhe me Teutën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.