Eksportet në rritje në qershor, por grupi më i madh, tekstile e këpucë, nuk e ndal rënien
Pas një ngadalësimi në maj, ku u rritën me vetëm 2.8%, eksportet kanë përshpejtuar sërish ritmet në qershor, duke u zgjeruar me 13.6% në maj, sipas të dhënave të INSTAT.
Gjithsesi, grupi më i madh në vend, që zë 26.3% të totalit të shitjeve jashtë vendit, dhe një nga punëdhënësit kryesore të industrisë, ai i tekstile e këpucë ka vijuar me tendencën tkurrëse. Ndërkohë grupet e tjera kryesore si materialet e ndërtimit, makineritë e pajisjet, minerale djegëse e energji elektrike shënuan rritje dyshifrore. Me zgjerim pozitiv ishin dhe produktet ushqimore.
Në Qershor 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 35,4 mld lekë, duke u rritur me 13,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,3%, në krahasim me Maj 2026, raportoi INSTAT.
Gjatë muajit Qershor 2026, në rritjen e eksporteve prej 13,6%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,3 pikë përqindje, ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -1,1 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,2 pikë përqindje, etj.
Për gjashtë mujorin, tendenca vijoi të ishte pozitive. Sipas INSTAT, për periudhën janar-qershor 2026, eksportet ishin 193 miliardë lekë, me rritje 6.1% me bazë vjetore (nga 4.5% që ishte zgjerimi për 5 mujorin). Edhe për gjashtë mujorin, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë mineralet lëndë djegëse e energji, materiale ndërtimi dhe makineri e pjesë këmbimi, ndërsa efekti më negativ ishte nga tekstile e këpucë.
Fasoni, i vetmi me rënie të fortë
Eksportet nga industria e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar muaj radhazi me rënie. Në qershor, rënia ishte 3.8%, gjithsesi e ngadalësuar në raport me majin, kur eksportet e tekstile e këpucë u tkurrën me 14.2%. Për gjithë 6 mujorin eksportet ishin 51 miliardë lekë, me tkurrje është 6.7% (-3.7 miliardë lekë), duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.
Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e euros. Monedha e përbashkët zbriti në nivelin më të ulët historik sërish në qershor, duke iu afruar 94 lekëve.
Sipas eksportuese edhe arsye të tjera lidhen me faktin që lufta ka vështirësuar importimin e lëndëve të para dhe kostot. Edhe kërkesa nga Europa është me rënie. Situata po detyron shumë kompani që të mbyllen dhe shumë marka, si Cotonella, COFRA, po largohen në vende me kushte ekonomike më favorizuese, si Tunizia, Maroku, Uzbekistani, Egjipti etj.
Rritet energjia e lëndët djegëse
Ndërsa fasoni është ndikuar negativisht nga lufta, e kundërta ka ndodhur me eksportet e lëndëve djegëse.
Grupi “Minerale. Lëndë djegëse, energji” ka eksportuar 7.5 miliardë lekë në qershor 2026, me një rritje të fortë prej 31% me bazë vjetore, i ndikuar nga çmimet e favorshme në bursa.
Për 6 mujorin, ky grup ka eksportuar 42.6 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 22%. Ky është grupi i dytë më i madh në vend, me 22% të totalit.
Ushqime pije e duhan me rritje
“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit dhe një nga dy sektorët që ka shënuar rritje në 2025-n, është përmirësuar në qershor, duke rritur eksportet me 8.5%. Për gjashtë mujorin, grupi është zgjeruar me 3.3%. Ky grup ka kaluar në të tretin më të madh në vend, me 16% të totalit.
Materiale ndërtimi e metale me rritje
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” e mbyllën vitin 2025 me një rënie prej 25.4%, më e thella nga të gjitha grup-mallrat. Megjithatë, në mars-qershor, grupi iu kthye rritjes, duke u zgjeruar me 29% në qershor. Për gjashtë mujorin, eksportet u rritën 15%.
Industria mbështetëse automotive, me ecurinë më pozitive këtë vit
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” është grupi me ecurinë më pozitive në gjashtë muajt e parë të vitit. Për periudhën janar-qershor shitjet e tij arritën në 22.8 miliardë lekë, me një rritje prej gati 15%. Vetëm në qershor, shitjet e këtij sektori jashtë vendit u rritën me 30.1%.
Ky grup, ku peshën kryesore e mban industria automotive është rimëkëmbur që në fund të vitit të kaluar kur kompanitë raportuan se porositë erdhën në rritje. Një pjesë e kompanive prodhojnë pjesë të thjeshta për makineri pune dhe mjete të mëdha transporti një segment që ka qenë në ecuri të qëndrueshme.
Ndërkohë vendimi i KE për të lënë mjetet me djegie të brendshme përtej 2035 ne formë hibride, ndryshoi panoramën edhe për këtë vit ku porositë pritet të jenë në rritje. Presionet kryesore që kjo industri e vendosur në vendin tonë po kalon lidhen me fuqinë punëtore, zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros pasi kontratat e tyre janë fikse disavjeçare dhe së treti rritja e beftë e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Qershor 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2025 janë: Italia (7,6%), Kosova (38,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Gjermania (12,8%), Maqedonia e Veriut (13,0%), etj.
Në muajin Qershor 2026, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2025 janë: Italia (24,9%), Kina (11,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rënien më të madhe, janë: Turqia (6,7%), Spanja (19,7%), etj. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4%, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2026, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 69,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,6% të importeve gjithsej.
Rritet deficiti tregtar
Në Qershor 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 35,4 mld lekë, duke u rritur me 13,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,3%, në krahasim me Maj 2026. Importet e mallrave arritën vlerën 83,5 mld lekë, duke u rritur me 9,1%, në krahasim me një vit më parë dhe me 3,2%, në krahasim me Maj 2026. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 48,0 mld lekë, duke u rritur me 6,1%, krahasuar me një vit më parë dhe duke u ulur me 0,4%, në krahasim me Maj 2026.







Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.