Eurodeputeti kroat: Asnjë politikë s’e ndryshon faktin historik që Kosova, Kroacia e Bosnja ishin viktima të agresionit serb
Eurodeputeti kroat, Davor Ivo Stier, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë nuk e ndryshon faktin historik se Kosova, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina ishin viktima të agresionit të regjimit të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
Në një intervistë për Euronews Albania, Stier u pyet për procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa theksoi se faktet historike për luftërat në ish-Jugosllavi nuk duhet të anashkalohen apo të relativizohen nga zhvillimet politike.
“Ky është një fakt historik që nuk duhet të dobësohet nga asnjë politikë. Kroacia, Kosova, Bosnje e Hercegovina, e ndoshta edhe Sllovenia, ishin viktima të një agresioni që u nis nga Serbia dhe presidenti i saj. Ky është një fakt që nuk duhet anashkaluar”, deklaroi eurodeputeti kroat.
Stier kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, autoritetet serbe e paraqesin ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke u përqendruar te bombardimet, pa i trajtuar ngjarjet që i paraprinë asaj ndërhyrjeje.
“Kur i dëgjon autoritetet serbe duke folur, duket se kujtojnë vetëm ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimet, por sillen sikur para bombardimeve nuk ka ndodhur asgjë”, tha ai.
Eurodeputeti theksoi se ndërhyrja e NATO-s kishte një kontekst të caktuar historik dhe se një nga arsyet kryesore ishte ndalimi i spastrimit etnik në Kosovë.
“Pati një arsye pse NATO ndërhyri dhe pse u kryen këto bombardime: për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, që ishte edhe lufta e fundit e nisur nga Millosheviqi. Këto janë fakte historike që nuk duhet të neglizhohen”, u shpreh Stier.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.