FIFA vendos, një slloven do të gjykojë finalen e Botërorit
Slloveni Slavko Vinçić është caktuar nga FIFA si gjyqtari kryesor i finales së Kupës së Botës 2026, ku Argjentina dhe Spanja do të përballen më 19 korrik. Caktimi i 46-vjeçarit nga Maribori në këtë rol përbën një moment historik, pasi ai bëhet gjyqtari i parë slloven që drejton finalen e një Kampionati Botëror dhe personi i 23-të në histori që merr këtë përgjegjësi.
Vinçiç e përshkroi lajmin si një emocion të jashtëzakonshëm, duke treguar se fillimisht mbeti i shtangur kur mori telefonatën nga drejtori i arbitrazhit të FIFA-s dhe kryetari i Komitetit të Gjyqtarëve, Pierluigi Collina. Ai tha se ëndrra më e madhe e çdo arbitri është të drejtojë një finale të Kupës së Botës dhe se ndihet jashtëzakonisht krenar për këtë arritje.
Gjyqtari slloven theksoi se ky sukses nuk i përket vetëm atij, por të gjithë ekipit të arbitrazhit. Ai falënderoi në veçanti ndihmësit e tij, Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovaçiç, me të cilët ka bashkëpunuar për shumë vite. Sipas Vinçiç, arbitrimi është një punë ekipore dhe pa mbështetjen e tyre nuk do të ishte e mundur të arrinte deri në finalen e kompeticionit më të madh të futbollit.
Karriera e Vinçiç është e mbushur me ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Ai ka gjykuar në Kampionatin Evropian 2020, finalen e Ligës së Evropës në vitin 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers, si dhe finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024 mes Borussia Dortmund dhe Real Madrid. Gjithashtu ai ishte arbitër në gjysmëfinalen e Euro 2024 mes Francës dhe Spanjës dhe drejtoi ndeshje edhe në Kupën e Botës për Klube 2025.
Kupa e Botës 2026 është turneu i tij i dytë botëror ku arbitron, pasi kishte gjykuar edhe dy takime në Katar 2022. Në këtë edicion të Kupës së Botës, Vinçić ka arbitruar ndeshjet Brazil-Marok dhe Jordani-Algjeri në fazën e grupeve, si edhe përballjen Meksikë-Ekuador në raundin e 32 skuadrave. Performancat e tij të qëndrueshme gjatë gjithë turneut bindën Komitetin e Gjyqtarëve të FIFA-s që t’i besonte drejtimin e finales.

Pierluigi Collina shpjegoi se përzgjedhja e arbitrit të finales është rezultat i një procesi të gjatë vlerësimi, ku faktori kryesor mbetet niveli i paraqitjeve gjatë turneut. Ai theksoi se çdo ndeshje analizohet me kujdes dhe vetëm arbitri që demonstron cilësinë më të lartë fiton të drejtën për të drejtuar finalen. Në finalen mes Argjentinës dhe Spanjës, arbitër i katërt do të jetë jordanezi Adham Makhadmeh, ndërsa Mohammad Al-Kalaf do të shërbejë si ndihmës rezervë.
Para sfidës vendimtare, Vinçiç tha se nuk do të ndryshojë mënyrën e përgatitjes. Ai dhe ekipi i tij do të analizojnë me kujdes të dyja skuadrat, do të përqendrohen në aspektin fizik dhe mendor e synimi i tyre do të jetë që pas përfundimit të finales të mos jenë pjesë e diskutimeve, por që vëmendja të mbetet vetëm te futbolli dhe fituesi i Kupës së Botës 2026.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.