Filmi “Mimoza Llastica” i Xhanfise Kekos drejt restaurimit, një nismë për ruajtjen e trashëgimisë filmike shqiptare
Nga Julia Vrapi
“Mimoza Llastica” një film i vitit 1973 do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit. Filmi me regji nga Xhanfise Keko është një tjetër prodhim kinematografik, që i nënshtrohet këtij procesi me në fokus shpëtimin e trashëgimisë filmike. Si regjisore Xhanfise Keko realizoi filma artistikë shqiptarë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Një prodhim kinematografik i suksesshëm i saj është dhe “Mimoza Llastica” i prodhuar nga ish Kinostudio “Shqipëria e re” në vendin tonë disa dekada më parë. Drejtori i AQSHF Eljan Tanini shprehet se restaurimi i këtij filmi është ndërmarrë nga Teuta Doçi, një prej aktoreve dikur me rol te “Mimoza Llastica”, ku gjithashtu ai bën me dije se në vijim do të jetë edhe premiera e restauruar.
““Mimoza Llastica” do të restaurohet. Shumë shpejt do ju tregojmë fragmente nga filmi i çelur, e po ashtu do të kemi edhe premierën e filmit të restauruar! Teuta është e para që i bashkohet nismës sonë të cilën po e shpallim sot për herë të parë: Adopto një Film për Restaurim”, shprehet Tanini. Ndër të tjera në reagimin e tij, Eljan Tanini drejtor i Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit thotë se thotë se të gjithë ata fanatikë që e duan filmin shqiptar mund të shpëtojnë nga rreziku dhe të restaurojnë, duke kontribuar me një film, film ky edhe i animuar, të shkruajnë në inbox-in e arkivit dhe në adresën e tij email.
Ky proces restaurimi është i rëndësishëm, sepse ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë filmike shqiptare për brezat e ardhshëm. Ai rikthen në cilësi më të mirë filma të vjetër, duke i bërë të aksesueshëm dhe të këndshëm për publikun e sotëm. Gjithashtu, restaurimi vlerëson punën artistike të kineastëve, si Xhanfise Keko “Artiste e Popullit” dhe mbron kujtesën kulturore të vendit.
Ngjarjet në film
Në qendër të filmit është Mimoza, një vajzë e vogël kryeneçe dhe e përkëdhelur që jeton në mes të një kujdesi të tepruar. Mimoza ka gjyshen e vet në dispozicion dhe i dëbon vazhdimisht nga shtëpia shoqet dhe shokët e saj, u prish atyre të gjithë lodrat deri sa mbetet e vetme dhe e penduar vetëm me kukullën.
Një film me regji nga Xhanfise Keko “Artiste e Popullit”, ku skenari është shkruar nga Nasho Jorgaqi. Kompozitorë Robert Radoja, Aleksandër Lalo. Në film luajnë Zhaklina Dhimojani, Violeta Manushi, Teuta Doci, Ema Shteto, Anila Kardhashi, Teuta Profi, Elena Dilo, Olizana Pasko, Silvana Banja, Rudina Pema, Pavlina Mani, Ilia Shyti, Ahmet Pasha, Ilir Grezda. Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër.
E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores më 1971. Keko ka marrë vlerësime të ndryshme për punë e saj në filmin për fëmijë dhe disa nga veprat e saj më të njohura janë: “Mimoza Llastica”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”. Xhanfise Keko u nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.