Ekonomia

“Fiskalizimi” Brumbulli: Pritet që të ulë përdorimin e parasë cash

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi dje tryezën e radhës me grupet e interesit për konsultimin e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, konsultimi publik u zhvillua me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Kreu i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha “Fiskalizimi” pritet që të ulë përdorimin e parasë cash, duke formalizuar ekonominë. Ndërsa për sa i përket kostove të shtuara, Brumbulli tha procesi do të shoqërohet me kosto, por që i takon ccdo banke që të bëjë një raport të kostove dhe të përfitimeve nga ky proces. Megjithatë për sa i përket flukseve të punës, sipas zotit Brumbulli ato do të vijnë në mënyrë graduale, pasi i gjithë procesi pritet që të finalizohet në vitin 2021.

Ministrja Denaj tha se sektori bankar përbën një komponent të rëndësishëm të “Fiskalizimit” dhe marrja e komenteve e sugjerimeve nga ky sektor është me rëndësi të veçantë për procesin konsultimit publik dhe për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

“Ne synojmë të kemi një dialog për këtë projektligj vërtet të rëndësishëm. Objektivi i këtij projektligji është të sigurojë të dhëna në kohë reale, një administrim të mirë të këtyre të dhënave në të ardhmen dhe nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet mes biznesit dhe konsumatorit, por edhe marrëdhëniet mes bizneseve, si dhe biznesit me qeverinë, që do të finalizohen në vitin 2021. Sektori bankar përbën një komponent shumë të rëndësishëm të këtij procesi dhe ne duam vërtet ta nisim mbarë duke marrë komentet tuaja që në fillim për këtë projektligj, si dhe për akte të tjera të mëvonshme”, u shpreh znj. Denaj.

Konsultimi publik i projektligjit është hapur në datën 31 korrik 2019 dhe është zhvilluar deri më tani me disa grupe interesi në tryeza diskutimi të drejtpërdrejta. Duke e konsideruar tepër të rëndësishëm procesin e konsultimit publik, Ministrja Denaj bëri me dije se ai mund të vijojë edhe në javën e parë të shtatorit, me marrjen e komenteve dhe sugjerimeve nga grupet e ndryshme të interesit.

“Jemi ende duke zhvilluar takime deri në fund të javës dhe nëse do të jetë e nevojshme do të vazhdojmë më tej, deri në fillim të shtatorit, pasi mendojmë se është e nevojshme që konsultimi publik të përfshijë të gjithë grupet e interesit dhe kohën më aktive të gjithë personave në punë. Meqenëse gushti njihet si një periudhë, e cila ka flukse më të limitura, mundet që edhe java e parë e shtatorit, deri në datën 9 shtator, të vlejë për komente për të gjitha palët e interesuara, pasi ky projektligj i takon të gjithë bizneseve dhe të gjitha organeve shtetërore dhe administratës, asaj Tatimore në veçanti, për të përmirësuar mënyrën se si regjistrimi dhe baza e të dhënave ndodh dhe procesohet në kohë reale”, sqaroi Ministrja.

Më tej, takimi vijoi me një prezantim të projektligjit dhe diskutimin nga ana e përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave mbi draftin.

Konsultimet publike të radhës do të zhvillohen sot, në datë 29 Gusht, në Këshillin e Investimeve dhe tryezën e diskutimit me përfaqësues të sektorit të Telekomunikacionit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button