FOKUS – Belgjika heton lidhjet e mundshme të Iranit me sulmet kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike të supermarketeve
BRUKSEL, 12 nëntor /ATSH-AFP/- Belgjika ka bërë të ditur se shërbimet e saj të sigurisë kanë identifikuar disa indicie për lidhje të mundshme të sulmeve të fundit kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet e vendit me aktorë të njohur iranianë.
Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi Franca akuzoi Gardën Revolucionare Islamike të Iranit për sulme të ngjashme ndaj rrjeteve të saj tregtare.
Ministri i Brendshëm belg, Bernard Quintin, deklaroi për agjencinë e lajmeve “Belga” se shërbimet e sigurisë kanë raportuar indicie për përfshirjen e mundshme të aktorëve iranianë. Ai bëri të ditur se Prokuroria belge po shqyrton informacionet dhe pistat e identifikuara.
Megjithatë, ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, u tregua më i rezervuar, duke theksuar se provat aktuale nuk janë të mjaftueshme për t’ia atribuar zyrtarisht sulmet një shteti të huaj. Ai nënvizoi se çdo përcaktim zyrtar i përgjegjësisë i takon Ministrisë së Jashtme.
Që nga mesi i tetorit, disa vende evropiane, përfshirë Belgjikën, Suedinë, Francën dhe Gjermaninë, kanë raportuar sulme kibernetike ndaj sistemeve frigoriferike në supermarkete dhe objekte të përpunimit të ushqimeve. Sulmuesit kanë ndërhyrë në distancë në sistemet e kontrollit, duke rritur temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve, çka ka shkaktuar prishjen e produkteve ushqimore.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi të hënën se pas sulmeve në Francë qëndronte Garda Revolucionare Islamike e Iranit. Ai i cilësoi ato si të paprecedenta për nga përmasat dhe agresiviteti, ndërsa njoftoi se Parisi synon të vendosë sanksione të reja ndaj përgjegjësve.
Ministri i Brendshëm belg Quintin, kërkoi gjithashtu një reagim të vendosur evropian, duke deklaruar se Irani ka sulmuar Francën dhe mund të ketë sulmuar edhe Belgjikën. Sipas tij, vendi duhet të mbështesë pa ekuivok vendosjen e sanksioneve evropiane ndaj shteteve që kryejnë sulme kibernetike në territorin e vendeve të BE-së.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme iraniane i ka hedhur poshtë akuzat e Francës, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe qesharake. Teherani pretendon se këto akuza synojnë të dëmtojnë reputacionin e Iranit dhe të përkeqësojnë marrëdhëniet e tij me vendet e tjera. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.