FOKUS – Evropa regjistroi mbi 10 mijë vdekje gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit
– Vendet evropiane raportuan më shumë se 10 mijë vdekje gjatë valës rekord të të nxehtit, që përfshiu Evropën Perëndimore, në fund të qershorit, sipas të dhënave zyrtare të “EuroMOMO”, rrjetit të monitorimit, të mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raportoi “Reuters”.
Pjesa më e madhe e këtyre viktimave – mbi 9 mijë persona – ishin të moshës 65 vjeç e lart.
Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë vdekje përmes goditjes nga nxehtësia, por edhe duke përkeqësuar sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive. Të moshuarit konsiderohen grupi më i rrezikuar.
“Një nivel kaq i lartë i vdekjeve, në këtë periudhë të vitit është i pazakontë. Është vërtet shumë i lartë”, tha Lasse Vestergaard, mjek kryesor në Institutin Shtetëror të Serumit në Danimarkë, institucioni që administron “EuroMOMO”.
“Është e vështirë të shpjegohet kjo rritje e lartë e vdekshmërisë me ndonjë faktor tjetër, përveç temperaturave ekstreme”, shtoi ai.
Shkencëtarët deklaruan se, vala e të nxehtit në fund të qershorit do të ishte pothuajse e pamundur, pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.
Të dhënat, të mbledhura nga statistikat kombëtare të vdekjeve në 27 vende evropiane, përfshijnë vdekjet nga të gjitha shkaqet, jo vetëm ato të shkaktuara drejtpërdrejt nga temperaturat e larta.
Ato i referohen javës 22–28 qershor, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani të Madhe dhe vende të tjera.
Shkencëtarët thanë se nuk kishte faktorë të tjerë të mëdhenj të njohur, si për shembull shpërthime të COVID-19, që mund të shpjegonin rritjen e numrit të vdekjeve deri në 10 650 persona gjatë asaj jave.
Në tetë javët para valës së të nxehtit, numri i përgjithshëm i vdekjeve në këto vende evropiane, ishte mesatarisht rreth 500 më i ulët në javë se niveli normal.
Të dhënat e “EuroMOMO” mund të ndryshojnë në javët e ardhshme, pasi mund të shtohen raportime të reja.
Vala ekstreme e të nxehtit, në fund të qershorit shkaktoi probleme me furnizimin me energji elektrike, mbylli shkolla dhe theu rekorde temperaturash në Francë, Spanjë dhe Britaninë e Madhe.
“EuroMOMO” nuk publikon të dhëna për çdo shtet veçmas, por bëri të ditur se Franca dhe Belgjika ishin të vetmet vende evropiane, që regjistruan një nivel “shumë të lartë” të vdekjeve, në javën e fundit të qershorit.
Në Belgjikë, rritja e vdekshmërisë ishte më e larta e regjistruar gjatë një vale të nxehti që nga viti 2000, sipas institutit belg të shëndetit publik “Sciensano”.
Një studim tjetër shkencor, i publikuar sot, vlerësoi se rreth 2 700 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin në Angli dhe Uells, gjatë valëve të të nxehtit, në muajt maj dhe qershor.
Sipas studimit të kryer nga Kolegji Imperial i Londrës (Universiteti Kërkimor në Londër), Zyra Meteorologjike Britanike dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, 42% e këtyre vdekjeve lidhen me rritjen e temperaturave, të shkaktuara nga ngrohja globale. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.