FOKUS – Koha para ekranit dhe truri i fëmijëve, a është vërtet aq e dëmshme sa besohet?
– Koha që fëmijët kalojnë para ekraneve është shpesh në qendër të debatit publik, duke u lidhur me depresionin, problemet e sjelljes dhe çrregullimet e gjumit.
Megjithatë, një numër në rritje studiuesish argumentojnë se provat shkencore nuk mbështesin plotësisht idenë se ekranet dëmtojnë drejtpërdrejt zhvillimin e trurit të fëmijëve, sipas BBC.
Profesori i psikologjisë Pete Etchells nga “Bath Spa University”, autor i librit “Unlocked: The Real Science of Screen Time“, thotë se analizat e qindra studimeve nuk kanë gjetur prova të forta që koha para ekranit shkakton pasoja të rënda për shëndetin mendor.
Sipas tij, shumë studime mbështeten në vetëraportimin e fëmijëve për kohën që kanë kaluar para ekranit, një metodë që mund të jetë jo gjithmonë e saktë dhe e besueshme.
Një analizë e publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë në vitin 2021, e cila shqyrtoi 33 studime ndërkombëtare, arriti në përfundimin se përdorimi i telefonave inteligjentë, rrjeteve sociale dhe videolojërave luan vetëm një rol të vogël në problemet e shëndetit mendor të të rinjve.
Edhe shqetësimet se drita blu e ekraneve prish gjumin nuk janë konfirmuar plotësisht, pasi një rishikim i 11 studimeve në vitin 2024 nuk gjeti prova të qarta se përdorimi i ekranit një orë para gjumit e vështirëson rënien në gjumë.
Studiuesit theksojnë se problemi nuk është vetëm sa kohë kalojnë fëmijët para ekranit, por çfarë bëjnë gjatë asaj kohe. Ka një ndryshim të madh mes përdorimit të internetit për të mësuar, për të komunikuar me miqtë apo për aktivitete krijuese dhe kalimit të orëve duke lëvizur pa qëllim në rrjetet sociale (“doomscrolling”) ose duke konsumuar përmbajtje negative.
Një tjetër studim, që analizoi mbi 11 500 skanime të trurit të fëmijëve 9–12 vjeç, zbuloi se megjithëse përdorimi i ekraneve lidhej me ndryshime në mënyrën se si komunikojnë disa rajone të trurit, nuk kishte prova se kjo shoqërohej me përkeqësim të mirëqenies mendore apo të aftësive njohëse, edhe tek fëmijët që përdornin ekranet për disa orë në ditë.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se shpesh ngatërrohet lidhja me shkakun.
Për shembull, një studim tregoi se adoleshentët me depresion përdornin më shumë telefonin, por faktori kryesor që lidhej me gjendjen e tyre ishte vetmia dhe izolimi social, jo vetë ekrani.
Megjithatë, studiuesit nuk mohojnë rreziqet reale të botës online.
Ata theksojnë se fëmijët duhet të mbrohen nga ngacmimet, mashtrimet, përmbajtjet e papërshtatshme dhe ekspozimi ndaj materialeve të dëmshme.
Sipas tyre, sfida nuk është thjesht kufizimi i minutave para ekranit, por sigurimi që përdorimi i teknologjisë të jetë i sigurt, i balancuar dhe i dobishëm për zhvillimin e fëmijës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.