FOKUS – Mikrograviteti ndryshon trurin e astronautëve, sfidë për misionet drejt Marsit
– Mungesa e gravitetit nuk ndryshon vetëm muskujt dhe kockat e astronautëve, por edhe mënyrën se si funksionon truri i tyre. Një studim i ri paralajmëron se këto ndryshime mund të përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për misionet e ardhshme afatgjata drejt Hënës dhe Marsit, sipas BBC.
Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë studiuar efektet fizike të jetës në hapësirë. Dihet se në mikrogravitet muskujt dobësohen, kockat humbin densitet, ndërsa lëngjet e trupit zhvendosen drejt pjesës së sipërme, duke bërë që astronautët të kenë fytyrë më të fryrë. Për të kufizuar këto pasoja, ekuipazhet në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës ushtrohen rreth dy orë çdo ditë.
Shumë më pak është ditur deri tani për ndikimin e mikrogravitetit në tru.
Një analizë e publikuar në revistën “Frontiers in Psychology”, nga studiues të Birkbeck, University of London, përfshiu të dhënat e 15 studimeve të imazherisë së trurit me 377 pjesëmarrës, mes astronautëve dhe vullnetarëve që morën pjesë në simulime të fluturimeve hapësinore.
Rezultatet tregojnë se mungesa e gravitetit shkakton ndryshime si në strukturën, ashtu edhe në aktivitetin e trurit. Studiuesit zbuluan se përshtatjet ndodhin kryesisht në zonat që kontrollojnë lëvizjen, ekuilibrin dhe orientimin e trupit në hapësirë, si edhe në rajonet që bashkojnë informacionin nga shqisat.
Autorja kryesore e studimit, Elisa Raffaella Ferre, shpjegon se truri përshtatet vazhdimisht me mjedisin ku ndodhet. Sipas saj, graviteti është një element themelor që sistemi nervor e përpunon vazhdimisht, edhe pse njeriu nuk e percepton në mënyrë të vetëdijshme.
“Kjo është një formë e bukur e neuroplasticitetit”, thotë Ferre, duke shtuar se truri “riprogramohet” për t’iu përshtatur mungesës së gravitetit.
Sipas saj, aftësia për t’u përshtatur është ajo që u mundëson astronautëve të kryejnë me sukses aktivitetet e përditshme në orbitë.
Ekspertët e mjekësisë hapësinore theksojnë se funksionimi normal i trurit është vendimtar për suksesin e çdo misioni.
Shkencëtarët synojnë tani të kuptojnë më mirë se sa shpejt ndodhin këto ndryshime neurologjike dhe sa kohë i duhet trurit për t’u rikthyer në gjendjen normale pas kthimit në Tokë.
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve pritet të jenë thelbësore për planifikimin e udhëtimeve shumëmujore drejt Hënës dhe, në të ardhmen, drejt Marsit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.