FOKUS – Moldavia mbyll hapësirën ajrore pas hyrjes së një droni në territorin e saj
KISHINEV, 17 nëntor /ATSH-AFP/ – Moldavia mbylli sot pasdite hapësirën e saj ajrore, pasi autoritetet zbuluan një dron të tipit “Shahed”, i cili po drejtohej drejt kryeqytetit të vendit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se vendimi për mbylljen e plotë të hapësirës ajrore u mor për arsye sigurie.
Ndërkohë, policia raportoi se kishte marrë disa telefonata nga banorët e kryeqytetit dhe zonave përreth, të cilët kishin dëgjuar shpërthime.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të mos afrohen pranë dronëve të dyshimtë apo mbetjeve të tyre, të mos i prekin dhe të mos i lëvizin, pasi mund të përmbajnë lëndë shpërthyese.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, akuzoi udhëheqjen ruse se po rrezikon sigurinë e vendit.
Ajo theksoi se Moldavia ende nuk disponon kapacitetet e nevojshme mbrojtëse për t’u mbrojtur nga këto mjete fluturuese dhe deklaroi se vendi do të vazhdojë të dënojë luftën në Ukrainë dhe të kërkojë sanksione ndaj Rusisë.
Moldavia, e cila kufizohet me Ukrainën, ka raportuar disa herë rënien e mbetjeve të dronëve rusë në territorin e saj që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Sipas të dhënave të autoriteteve moldave, deri në fund të shtatorit ishin regjistruar 81 shkelje të hapësirës ajrore që përfshinin raketa dhe dronë të prodhimit rus ose iranian, 44 prej tyre gjatë këtij viti.
Incidentet me dronë po shtohen edhe në vende të tjera të krahut lindor të NATO-s, përfshirë Rumaninë, duke rritur shqetësimet për sigurinë ajrore në Evropën Lindore. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.